Adem Gashi: Ti e di vesin tim

adem gashi antologji atdhedashuri

Poezi nga Adem Gashi

Shumëçka në jetë përsërisim
mësimin, klasën, gabimin
na duket nganjëherë sikur jemi përsëritës të përhershëm
pa dashur,
veçse kur duam ta përsërisim vetë jetën
shpirti na thotë: këtu fillon mbretëria tjetër
duke lënë pengun buzëplasur.

…dhe, sërish erdhi ditëlindja jote
këtu, atje, seku të gjeti
në ç’hapësira të kësaj bote
duke shaluar aligatorë, elefantë, deve a Chevroleti?

Veçse vesin tim ti e njeh tashmë:
të mos uroj njeri për ditëlindje,
pa çka se shpirtin rob e lë
në itineraret e tua, në arratitë e shëtitjet.

S’ka gjë, malli le të përsëritet
me gjithë peshën e vuajtjes sa një tren a avion
Rëndësi ka që me zogun e blertë e zemërak
të kujtoj e më kujton.

ObserverKult

—————————–

LEXO EDHE:

ADEM GASHI: DY RRËFENJA EROTIKE DHE NJË PENG NË XHEP

Dy rrëfenja erotike dhe një peng në xhep nga Adem Gashi

Ajo e ndjeu ndryshimin e motit midis pragstinës së ftohtë dhe të ngrohtë. Një javë më parë kishte blerë pëlhurën që i duhej për fustan dhe po nxitonte drejt dyqanit të rrobaqepësisë. As u kujtua të shihte mbishkrimin.

U fut brenda dhe pas përshëndetjes “puna e mbarë” (nuk ishte nga ato të muhabeteve tërkuzë), ia tha djalit kërkesën për prerjen dhe qepjen e fustanit.

Rrobaqepësi i mirësjellshëm shënoi emrin e saj në një fletore të kuqe, e vuri lapsin në gojë dhe mori metrin në formë shiriti a fjongoje e zuri matjet nga beli. Qenka goxha belhollë! – tha me vete. Pastaj e hodhi nga të pasmet dhe mbajti shënim masat.

Metri fjongo u zhvillua së poshtmi. Ai rrëshqiti dorën ijëve të saj, barkut dhe mollëzat e gishtërinjve prekën lehtësisht fundbarkun…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU