Adriatike Xh. Lami: Dua me të thënë…jeto me mua…

Ti erdhe në jetën time prej barkut t’ rastësisë,
Kur dashuria flinte bebe e thelët nën rrënoja,
Kur vdekjet më kishin mundë ëndrrat para se me lindë,
Kur koha kishte ndalë t’ renë, e në rrjetë yjesh kishte lotë.
Kur fjala ishte bërë baltë, ngrirë në skulptura të mahnitshme,
Dhe trena udhëtimi s’kish më, për të shkuar larg në perëndim.

Por kur Ti erdhe në jetën time, prej një nëne të rrallë,
Që unë ia desha siluetën edhe pa e njoftë, e putha në ballë,
Dashurinë e bëre gacë, ku ndizen e ndriçojnë filiza fati,
Vdekjen e sfidove pa hyrë në beteja, veç u ndjemë gati,
Koha u zhvendos në të ardhme, në dimensione të reja,
Dhe fjala u bë muzikë, ashtu me kreshpërim frike e guxim,
Atëherë befas fillova të gjej, të udhëtoj me trenin tim.

Mos të të shkojë mendja i dashur me vdekë para meje,
Mos ik prej ç’ka gjetëm, për asnjë rigë arsyeje, askurrë,
Mos ma ul ritmin, por eja, duhet me ndërtu nji mur,
Po unë si dreq i bardhë që jam, eh, ti prandaj më zgjodhe,
Do vij të të kap mat si çarqe pylli, do marr hua ca zana,
Që natën at krijesë, ta shembin sapo të dalë hana;
E ditën të ndërtojmë në pusi, Hojet e një malli të ri.

Mos vdis i dashur para se të plakem unë,
Para se të plakemi të dy, të dimë si jemi fëmijë,
Të më shohësh me breza në gji, bistakë jete,
Shiko; çfarë valleje; me hanë e yje të dalë roje,
Çmenduri zënkash, fshehur paqas në gurë bore,
Hej, ç’po them, s’po njoh veten, duket nga dashuria,
Quaji si të duash këto gjera të vogla, të kthyera në krilla.