Adriatike Xh. Lami: Ne flasim për dy botë të ndryshme!

adriatike lami mos vdis

Poezi nga Adriatike Xh. Lami

Unë flas për dasmat,
Fustanin popullor që vesha mbrëmë dhe ti s’munde ta shihje
Vallen që i mësova tët biri dhe ti s’munde ta shijoje
Më pas dorën te qafa, se vetmia për ty është bërë shok i mirë.

Ti flet për borën
Që s’po shkrin nga shpina jote
Për kostumin që ke kohë pa e ndërruar
Dhe mallin që të mban lidhur me këtë botë.

Unë vazhdoj dhe flas për ëndrrën që pashë mbrëmë
U tremba se ëndrrat më trembin në skaj
Për aloe vera në ballkonin tim që thahet sa herë kujtoj
E më pas të ankohem se tekniku i makinës nuk është i mbarë.

Ti vazhdon të qeshësh me supernatyrën time
Me gjërat e vogla të kësaj jete të madhe
Me ngulmimin tim për të t’i thënë të gjitha
Dhe në fund çuditesh që nuk të shoh në sy.

Unë flas për tim atë që më mungon
Ti flet për shoqërinë që të bën çdo mëngjes
Unë flas për vëllanë që s’di si është thinjur
Ti më tregon cigaren që pini bashkë.

Unë flas për një libër të ri ku je ti
Dhe mëdyshja më rri ulur për kohën
Kur fjala do të vijë aty.

Ti më flet për gra, gra, të tjera gra
që premtime të marrin
dhe rrugën të zënë.

Unë flas për burra dhe dashuri
ti nuk dëgjon, më ke kthyer shpinën
dhe rrugës lëshon zare të bardhë.

Unë të flas për gjërat që do të bëj këtë verë
Ti më thua që je bërë rojë e përjetshme.
Për mua dhe djemtë!
Bukmirë e fatit na rri pas shpine,
Dhe shportë me fruta më nuk sjell!

Unë flas për alergjinë e muajve
Dhe kilet që kam vënë.
Ti më puth e thua se më shkojnë tepër
E unë bëj sikur të besoj
Dhe Ti që më beson vërtet!

Pasta unë hesht se ka një kufi që s’mund përtej t’i shkoj
Njeriu në buzë sheh dhe çmendet për bukuritë e panjohura
Dridhet nga ngjyrat dhe përcueshmëria e pamjeve.

Ti je në fund
Nuk më thërret
Por britmën ta dëgjoj që s’mundesh të jesh çdo vit
Atëherë kur pranvera në botën tonë ngjallet.

Dreqo botë e jona
Mirë botë e jotja
Nuk të kam zili
Dhe as më ke
Se mendimin e të dyve midisja e madhe kaq mirë përcjell.

ObserverKult


Lexo edhe:

ADRIATIKE LAMI: UNË JAM PUTHJA E JETËS PËR TY I DASHUR…