Adriatike Xh. Lami: Nëse një ditë nuk jam gruaja jote…

adriatike lami mos vdis

Si ta shpjegoj i dashur
Pse ky mëngjes më zuri pa ty,
Pa ty as në kremtimin e vjeshtës.
Paskam bërë katarsis me ikjen!?
Kurorat e ullinjve të gjelbra kam në kokë,
Më bëjnë mirë, më japin qetësi.
Aq sa të mos kujtoj gjëmën që ta plas,
Sa herë që hëna kalon në udhën e duhur.
E ndërsa binte një yll,
Ishte dëshirë e fundit;
Mos u inatos me asgjë që nuk është siç e do.
Dashuria ime ende është animistike;
Duart e tua janë bërë shportë,
Mbledhin copëza të thyera nga zemra ime!
Ruaji i dashur,
Ato marrin frymë,
Në duar jetojnë më gjatë,
Si të ta them se edhe kjo mbrëmje më zuri nën sy ziliqarë,
Në ecje stine, çfarë sqime të bukur ka vjeshta e mbarë.
Sepse gjithëçka dua ka zënë vend aty.
Është tetor, kësaj here me ritëm flete…
Dhe unë ende nuk kam shkelur asnjë gjethe,
Ato pak që kanë rënë i kapërcej,
Hej, bujtina ime e dashurisë është vetëm,
Dhe aty fle një kopje tjetër e imja,
E sapobërë grua, ndërthurur me baltë,
Ende e njomë pa pluhur kohe ,
Ora po troket tik – tak. Tik – tak.
Zemra e gruas në duart e burrit si ora,
Më duhet të jem në udhën e kërkuar,
Askush nuk ma zë,
Sepse kam fituar vetinë e përçueshmërisë.
Pa ty jam bërë sërish grua
Po ndryshoj në diegë të vjeshtës.
Po kthehem në zanë,
E përanë pamja ime e re,
Tashmë nuk bëzaj më …
Ani, mos e zgjo zanën brenda meje,
Se nëse nuk jam më gruaja jote,
Nuk dua të jem më as grua përralle.
As dritë mëhalle,
As lule në sytë e vdekjes,
As push në zemrën e erës,
As trinë e zemëruar,
As kishë e vetmuar,
Asgjë nuk dua të jem më pas kësaj..
Sepse dua atë gruan që shohin sytë e tu….
Që tundet si krifë, përpara se të mbërrij,
Që prillin e bën tango dhe muzikën liri,
Frymë e tejane dhe botë pa cepa,
Hartë pa rrugë dhe dritë pa stepa…
Furtunë shkatërruese rigjenerim pas stuhije,
Me sy shitues e lojë fëmije.
Mos u tremb nëse je në fund të rrugës.
Një grua si unë, të sheh edhe kur nuk dukesh.
Eh, mallkimi më ka zënë të jem gruaja jote përjetë!
Mbi një lundër të lehtë
Ku era dhe dielli bëjnë kërdinë.
Po çmendet vendi bosh në varkë.
Ti nuk je, tjetërkujt i shkon mendja
Të më përkasë.
Unë e shtyj pakëz si në ëndërr.
Shkrihet ai burrë ëndrre, bëhet flu.
Se unë i përkas lirisë së burrit që dua.
Ndaj i dashur ruaji edhe kët’ natë
Copëzat e zemrës sime ndër duar.
Do m’i dhurosh në një kuvend dashnie.
Me kreiza pa zë, me shikim shpuzë.
Sapo dielli të agojë mbi kodrën e qytetit tim magjik.

ObserverKult

————–

LEXO EDHE:

YEHUDA AMICHAI: NJË TJETËR KANGË DASHNIJE