Afrim Demiri: Kam frikë, nga njeriu që ka frikë…

afrim demiri çelës gjuha e heshtjes

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Afrim Demiri.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Nuk e di pse, por para fjalës lumturi më renditet fjala e përkryer. Dhe pa dashtas sintagma “lumturi e përkryer”, më shndërrohet në “përkryerje të lumtur”. Që të dy dyzimet më ngjallin paraftyrimin e një gjakimi të përputhshmërisë ideale. Nuk ka si të ngjanë lumturia nëse nuk është përkryer dhe anasjelltas, sepse janë kategori sipërore, të cilat si të tilla vazhdimisht na mbajnë në një ngashërim pushtues. Kjo ngarendje drejt tyre ka në vetvete diçka kosmologjike, sepse në realitetin tokësor mund të jenë vetëm raste përjashtuese dhe kursesi gjendje. Në fund të fundit lumturia është një frymëzim, kurse e përkryerja është kurorëzim i atij frymëzimi.

Cila është frika juaj më e madhe?


-Eh, Fromi thotë frika nga liria, çfarë mund të them unë? Në rend të parë kam dëshirë që frikën njerëzore ta heqi nga rrafshi i frikës ekzistenciale. Mbase vetëm njeriu i liruar nga frika, do të duhej të ishte i lirë. E vështroj tigrin, në video-xhirime, duke pirë ujë, dhe i hetohet frika duke përbi me shpejtësi gllënkat e ujit, nga shfaqja e befasishme e krokodilit, dmth, në instiktin e tij krokofili është diku, aty afër nën ujë! Kam frikë, nga njeriu që ka frikë! Zbutësja e frikës është arsyeja. Mbase kam frikë që në ndonjë moment mund ta humbi arsyen për veten, për dashurinë, për botën. Nuk kam dëshirë të vdes si i frikësuar.


Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?


-Çuditem me veteveten, që me kalimin e viteve lakorja admiruese shënon vlera të ulta për mua. Çdoherë e më shpesh, mbahem më i përmbajtur ndaj ndjenjave admiruese, adhuruese. Kërkoj që shkalla emotive të jetë në përputhje me qëndrimin kritik ndaj personave të caktuar apo ngjarjeve që nxjerrin personalitete. Shpesh edhe dyshoj në aftësitë e mia motivuese, që të admiroj. Kuptohet që me këtë rast po i përjashtoj ndërlidhjet familjare, sepse lidhjet primare mendoj që nuk duhet të shqyrtohen, ato e kanë pavarësinë e tyre krahasuar me të gjitha lidhjet tjera sociale dhe çdo vlerësim i imi në këtë drejtim do të ishte subjektiv.

-Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?


– Procesi i identifikimit me dikë edhe pse në shikim të parë duket se të plotëson, në të vërtetë ai të cenon, mos të them të robëron. Ka shumë raste kur jam mahnitur me filozofët e lashtë , me iluministët, apo me rilindasit tanë e deri tek ndonjë revolucionar, por nuk iu kam dhënë liri, asnjëherë ndjenjave që të gjejë, kushtimisht një prototip identifikues. Shpesh personalitetet e historisë, për mua kanë mbetur nën hijen e personazheve të caktuara të letërsisë, kjo gjë mund të tingëllon paradoksale, por ka diçka më njerëzore te personazhet letrare se sa tek personalitetet historike.

Kuptohet këtu e përjashtoj fazën e fëmijërisë, kur përpjekja për identifikim nuk është asgjë tjetër vetëm një ndjenje që të rritesh më shpejt. Çdo ndjenjë tjetër në këtë drejtim e identifikoj si krizë të identitetit personal, për të mos thënë një lloj të veçantë të snobizmit.


– Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?


– Mosgatishmëria për fillim të shpejtë, një zvarritje deri në çastet e fundit, për të mos përmendur një shtypje të ambicies, e cila nuk e di a e ka natyrën e nënçmimit apo të mosbesimit në vetvete.

– Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?


– Haha… ka shumë! Duke filluar që nga fshehja e qëllimit të vërtetë, pas veprimeve maskuese, agresiviteti arkaik, injoranca,…servilizmi, e deri tek personaliteti i dyfishtë!



– Në cilat gjëra e teproni?


– Ndoshta në qasjen kritike, qoftë ndaj dukurive, vlerave letrare dhe artistike apo në përballjet debatuese, prej përditëshmërisë e deri tek universi apo prej gjeopolitikës e deri tek religjionet, derisa kërkoj më shumë përkushtim dhe më shumë argumentim.

– Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?


– Është një pyetje që e vë në sprovë etikën. Mbase cilado përgjigje nuk do të tingëllonte e besueshme. Andaj nuk dua të gënjej, sepse nuk kam arsye, dmth, kujdesem shumë që të mos kem nevojë të gënjej. Përndryshe askush sikur gënjeshtra nuk e rrënon integritetin e personalitetit.

– Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?


– Atëherë kur koha kapërcehet, kur nuk vërehet e pesha e saj. Mund të tingëllon metafizike mohimi apo shuarja e kohës, por më shumë e konceptoj si liri nga koha apo ikje nga koha. Pse?! Sepse atëherë sikur lirohemi edhe nga masa e jonë, nuk jemi trup jemi ose vetëm mendim, ose vetëm ndjenjë edhe rrugëtimi atëherë më shumë është fluturim, fluturim magjik, se sa zhvendosje fizike.

– Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

– Qoftë gjatë punës si gazetar, mësimdhënës apo gjatë krijimit letrar nuk kam dëshirë të përsëritem, madje semantika e fjalës ka shumë rëndësi për mua, bashkë me vendosjen e saj. Mbase fjalën “kushtimisht”, gjatë bisedave e përdori më shpesh, sikur më duket se ndërlidhë të pasigurtën me argumentin, e relativizon konstatimin arbitrar dhe i jep fuqi të besueshmës.

Po ashtu edhe shprehja “për besë” hetohet dukshëm në të folmen time, pikërisht nga nevoja e fuqizimit të mendimit të shprehur dhe miratimit të tij, por edhe në përpjekje për t’i ikur kalkeve të ndryshme. Edhe fjalën “e natyrshme, natyrisht”, e përdori për të shpjeguar natyrën vetiake të çdo procesi, sepse prej natyrës njerëzore e deri tek natyra e sendeve, e materies ekziston një natyrë që përcakton ligjshmërinë ndërlidhëse të shumë faktorëve. Natyrisht!

-Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

– Vetgjykimi është gjykimi më i vështirë. Është një proces që krijon një spirale të ndërgjegjës dhe nuk e din fundin e saj. Pendesa është në rrezen e kësaj spiraleje, por fatkeqësisht nuk është e zhvilluar në botën tonë shpirtërore shumë. Po kthehem me shpejtësi filmike në vitet pas, për ta rigjetur veten në pendim, por nuk po e kam lehtë. Nuk jam një determinist dhe nuk i besoj ndodhjes së përcaktuar të gjendjeve, andaj sikur vendimet e mia mbesin vendime të mia! Ndoshta më shumë jam penduar për gjërat që nuk i kam bërë, se sa për ato që i kam bërë?

-Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

– A matet dashuria? Cila është njësia shprehëse e saj? Do të tingëllonte dëshpëruese të thoja se: Dashuria më e madhe është ajo e cila ende nuk ka ndodhur! Nëse dashuria lidhet me përkushtimin, përkushtimi nuk soset, andaj edhe dashuria është proces në ndodhje e sipër, dmth nuk është e mbaruar. Por në jetë e kemi provuar humbjen e shumë dashurive, e kemi ndjerë dridhjen e zemrës si një tërmet të tokës. Dhe nuk e kemi pranuar këtë fakt, sepse kujtimet janë vazhdim i dashurive. Dashuritë thurrin kurorën e jetës dhe secila prej tyre e ka ngjyrën e vet.

– Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

– Si çdoherë e kufiziueshme, për t’i zbërthyer sfidat e njohjes. Procesi i njohjes të mban vazhdimisht në një gjendje ekscituese, ai shpesh të sjell tronditje emocionale dhe të përballë më të pakuptueshmën. E pakuptueshmja më zvogëlon, më tkurrë dhe atëherë ndjejë një zhgënjim mendor, ndjejë një presion psikik dhe e vejë në dyshim racionalitetin njerëzor. Por kërkimi në vetvete është ripërtërirje e mendjes është tendencë e zgjerimit të saj dhe në këtë aspekt nuk heqi dorë nga reflektimi për të panjohurën, për të pakufishmen.

– Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

– Problemi është cila është ajo gjë, një gjë e vetme. Gjërat janë të integruara në tërësinë e quajtur natyrë njerëzore dhe mbase funksionojnë në një ritëm bio-social të pavarur. Shpesh e pavetëdijshmja brenda nesh na kushtëzon, na kufizon apo na dikton. Të parën gjë që do ta sulmoja është plogështia që krijon rutina e përditëshmërisë, ajo që thashë më lartë, vonesën për të filluar.

-Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

– Ka vite që e citoj një thënie të një shkrimtari rumun, se letërsia që e nxjerr njëshin, ajo letërsi nuk ekziston! Andaj, në analogji me këtë, sikur nuk kam dëshirë të nxjerri në pah ndonjë të arritur të veçantë, nga dyshimi se do të del që nuk kam ekzistuar fare deri më tash. Mund të tingëllon i ashpër ky gjykim, por nuk ndjehem mirë kur ta shkruaj CV-në, aq më shumë kur më del më e gjatë se që mendoj. Por sidoqoftë mund të ndihem i qetë me punën që kam kryer aty ku kam qenë ndër vite, në fusha të ndryshme, sikur që ndihem mirë me ngritjen dhe formimin e tri vajzave të mia.


-Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

– Kthimi në kohë, ecja në kohë, kapërcimi i kohës, lirimi nga koha etj., janë sintagma që ndezin debate dhe ngjallin kurreshtjen e njohjes. Secila prej tyre i japin njeriut përmasa të veçanta në përpjekje për të ndryshuar një vijë të drejtë, të cilën e kalojmë detyrimisht. Dhe në moment diskrete sikur duam këtë vijë të drejtë ta përthejmë, pse jo ta mbështjellim në një lëmsh kohor dhe në fund ta gjejmë një arsyetim që ta përmirësojmë veteveten brenda asaj kohe. Pasi pyetjet janë në rrafshin individual, atëherë nuk më mbetet tjetër pos të kisha ndryshuar mënyrën dhe metodat e shfytëzimit të kohës.

– Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri
apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

– Rrallëkund sikur tek libri “Ditari i zisë” të Roland Barthes, njeriu e mëson portretin e vdekjes dhe pikëllimin si hije të saj. Aty e kupton kur vdekja është ngjarje dhe kur ngadalë fillon të mos jetë ngjarje. Por të kthyerit nga vdekja çka do të ishte. Jemi mësuar nga mësimet stereotipe të religjioneve se vdekja është bileta e padëshirueshme për në atë botë, kurse atë botë e himnizojmë si parajsë apo e demonizojmë si ferr. Në këtë kuptim e shohim edhe metafizikën, pa arritë asnjëherë të marrim përmasat e kuptueshme të një iluzioni njerëzor për të pavdekshmen.

Nëse do të isha i përjashtuari i kësaj dhe do ta nxirrja biletën kthyese, së pari do të isha personi që do të lirohesha nga pikëllimi i vdekjes dhe së dyti do ta kisha krijuar anti-religjionin. Nëse rastësisht do të më dëbonin nga atje si një send atëherë sigurisht do të isha guri i mëkatit.

– Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?


– Në mes dilemës të kesh apo të jesh, disi vazhdimisht jam gjetur në anën që të jem. Andaj nuk e kam të lehtë të mendoj se çfarë posedoj, si të shtrenjtën time. Mendja më shkon te liria ime, te familja ime, te atdheu im si dhe të të shokët e mi. Por mbi këto dhe për këto nuk kam të zhvilluar ndjenjë të posedimit, por ndjenjë të sublimimit, të shkrirjes, të bashkëjetesës ekzistenciale, dmth jam me ta, jam në ta.

– Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

– Besimin e kotë! Akulturimin e përmasave tejtërsuese! Humbjen e identitetit në emër të modernizmit apo në emër të ideologjisë apo religjionit. Mosnjohjen e përmasave të vërteta të paditurisë si dhe lajthitjen në joshjet diskrete. Vendnumërimin duke ëndërruar se po vrapon. Mjerimin në kohë digjitale.

Ku do të dëshironit të jetonit?

– Më mahnisin lejlekët shtegtarë që kthehen në strofullat e ndërtuara mbi lisat tanë shekullorë. Shpesh më gjasojnë në pleqtë tanë, që nuk i lëshonin vatrat gjatë luftës! Edhe unë gjatë luftës, u pata shndërrue në plak para kohe. Në princip jam planetist, por më pëlqejnë bimët endemike. Autoktonizmin nuk e ndërlidhi vetëm me aspekte sociale, kam bindjen se natyra të veshë me disa tipare të veçanta. Kam frikën se në çdo vend tjetër përtej Kosovës isha tha shpejt!

– Cila është cilësia juaj më e veçantë?

– Identifikimi me fatet njerëzore. Afërsia për të dëgjuar zërin e tjetrit, bashkëbisedimi me ta. Për 20 vite gazetaria më ka njohur me mijëra fate, është dashtë ta dëgjoj dhe të përpunoj rrëfimin e tyre me sinqeritet. T’ua ruaj ndjenjën e ta fisnikëroj preokupimin e tyre. Korrektësia në komunikim kërkon kulturë, tolerancë dhe kurreshtje. I falënderoj të gjithë ata që m’i kanë besuar dramat e tyre familjare, preokupimet publike, bindjet e tyre. Tash ngadalë po iu kthehem sërish atyre, por duke i shndërruar në personazhe letrare, të cilët sërish rrëfejnë, sërish shpërthejnë dramat njerëzore, por me gjuhën përtej informatës.

– Çfarë vlerësoni tek një burrë?

– Më ka ra të njoh shumë arketipe burrash që ndërlidhin shekujt. Prej malsorëve tanë e deri tek veteranët e arsimit. Te dikush kam vërejtë vetëpërmbajtjen, te ndonjë besën, mos ta harroj trimërinë apo kulturën e të rrëfyerit te ndonjë tjetër. Përpjekja për të drejtën sociale më ka rrëmbyer për të kuptuar emërtimin soc-psikologjik burrë, apo lehtësia për sakrifikuar për atdheun, për mua ka qenë shkollë në vete.

– Çfarë vlerësoni tek një grua?

– Kjo pyetje më sjellë ndërmend sytë e nënës dhe të mësueses sime, të cilët çdoherë më janë dukur se kanë të njëjtën urtësi të njëjtin shkëlqim. Gratë që kanë sfiduar rrethin arkaik dhe kanë krijuar shembullin emancipiues më janë dukur se rrezatojnë dritë. Dhe mbase jo rastësisht, bashkëshortja ime e ka emrin Dritë, dmth vazhdimisht kam qenë në kërkim të dritësimit.

– Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

– Më në fund u shfaq pyetja e pyetjeve! Pse! Çka e bën këtë pyetje aq të rëndësishme? Në jetën e përditshme shumëkush as që dëshiron të dëgjoj për shkrimtarët. Kosova në disa epoka historike e ka pasë fatin e keq të shkëputet, jo vetëm nga trungu kombëtar, por edhe nga jeta shoqërore që është zhvilluar brenda popullit shqiptar. Dy Rilindjet kombëtare, në Kosovë janë vonuar apo kanë trokitur zbehtë në zemrën e saj. Si ajo në kohën e Perandorisë osmane, po ashtu edhe ajo pas konsolidimit të shtetit shqiptar, kur shpërthen jeta soc-kulturore në spektrin më të gjërë të fjalës.

Andaj për një lexues kosovar, shkrimtari ka marrë epitetin e një misionari, mos të them të një demiurgu shpirtëror. Letërsia në Kosovë nuk ka trokitur vetëm si letërsi e pastër, por si një kumt, si një vetëdijësim dhe emancipim. Është paradoks në vete, që kërkon një trajtim të veçantë, prej viteve ’40-ta të fashizmit, e deri në ato ’60-ta të komunizmit, letërsia ishte një abetare e hapur për shoqërinë kosovare. Më vonë gjenerata ime kemi filluar të kërkojmë vlera letrare estetike, jashtë kontekstit të ngushtë historik.

Atëherë më është dashtë ta përjetoj monumentalizmin epik të Fishtës, lirizimin filigran të Lasgushit, rebelizmin migjenian, për të ardhur tek letërsia plot hirësi e Kadaresë, të cilën e kam përjetuar se një restaurim të Arbërisë princore, në kohën kur Shqipëria shkatërrohej nën “princin e kuq”. Mandej, kam vazhduar ta rizbuloj me vonesë Koliqin dhe Camajn apo të shetisë pasqyrave të kristala të Vath Koreshit.

Dikur është dashtë të marrë shumëçka nga groteska dhe absurdi i totalitaritetit të Orvelit, të mahanitem me realizmin magjik të latino-amerikanëve, të Markezit dhe Borhesit, apo ta mësoj alkiminë e Paulo Coelhos. Për të ardhur në një moment që shkrimin ta lexoj pa e mësuar emrin e autorit, duke e lënë atë në një harresë, derisa t’i bie librit në fund. Çfarë është kjo një nënçmim ndaj autorit, humbje e besimit në karakterin e tyre, apo një shenjtërim i shkrimit? Ndoshta, të gjitha nga pak?!

– Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

– Heroizmin e kuptoj si një akt superior, andaj nuk jam një kërkues i akteve të tilla. Ato ndodhin rrallë, por vetmohimin e njerëzve për ta ndjekur pasionin e tyre e çmoj si akt të veçantë. Nuk rrethohem me heronj, shoqëria që prodhon heronj, ka mungesë të normalitetit shoqëror.

– Cilin talent do të dëshironit ta kishit?


– Më mungojnë shumë talente, nëse e kam ndonjë prej tyre, do të isha i kënaqur?! Talentet i rendis në dhunti të natyrës, mungesa e tyre natyrisht na varfëron, por nuk na pengon ne realizimin e ëndrrave tona. Komponimi i muzikës më mbetet peng, shprehja e një kohe nëpërmjet muzikës, më duket si piktura më e mirë e mundshme.

– Si do të dëshironit të vdisnit?

– Prapë vdekja! “Do të bëhem varr i vdekjes sime”, e kam një varg në një poezi timen. Mbase kam dashtë të them se vdekja na synon, por nuk na arrinë, atëherë kur ne vendosim të vdesim bëhemi varr i saj. Është një ironizim i vdekjes. Përtej poetikës, çdoherë kam pyetur veten a meriton njeriu një vdekje tjetër, një vdekje më humane do të thosha, nje transformim më të përsosur, një shkëputje më fisnike se sa vdekjet që i përjetojme prej ditës në ditë. Një njejtësim me kosmosin, një fjetje e qetë e zgjatur në gjumë, apo një vdekje duke folur, ngjajshëm me sintagmën “zogjët vdesin duke kënduar”.

– Cila është motoja e juaj?

– Gjatë studimeve në cepat e fletoreve shënoja plot thënie të urta që e kishin tingëllimën, frymëzimin e motove. “Per aspera ad astra”, ka qenë njëra nga to, që në një përkthim të lirë shqiptohet si “Nëpërmjet vështirësive drejt yjeve”. Ishte një kohë kur mendonim se yjet nuk janë aq të lartë, që të mos arrihen. Më vonë motot filluan të më përngjajnë në parrulla socialiste, të cilat na rrethonin kudo dhe fillova të “distancohem”, nga frika se ata që i shkruajnë motot nuk u përmbahen vet atyre.

ObserverKult


Lexo edhe:

ILIRIAN ZHUPA: NUK DO DOJA TË ISHA I PRANISHËM NË VDEKJEN TIME