Afrimi më i sigurtë ndërmjet popujve është afrimi përmes letërsisë

rexhep qosja kosova atdhe estetika e snobi shkrim nga rexhep qosja

Nga Rexhep Qosja

Ekziston një bindje naive se popujt e ndryshëm më së miri mund të njihen, të afrohen dhe të respektohen në saje të miqësisë politike apo të shkëmbimit të të mirave ekonomike.

Afrimi ndërmjet popujve, që mbështetet në politikën dhe në tregëtinë, zakonisht, është i afatit të shkurtër për shkak se miqtë politikë mund të ndërrohen, po ashtu, shpejt sikundër mund të ndërrohen edhe bashkëpunëtorët ekonomikë. Afrimi më i sigurtë ndërmjet popujve është afrimi që krijohet përmes krijimtarisë artistike në përgjithësi, kurse përmes letërsisë në veçanti për shkak se një afrim i këtillë i lidh popujt shpirtësisht dhe e ka perspektivën më të gjatë.

Një popull që nëpërmjet arteve, e në radhë të parë nëpërmjet letërsisë e njeh një popull tjetër doemos krijon afinitete shpirtërore që të kuptojë, respektojë dhe dashurojë veçoritë dhe mentalitetin e tij kombëtar.

Po ky afrim i popujve nëpërmjet letërsisë dhe, në përgjithësi, të kulturës shpirtërore e nënkupton jo njohjen dhe respektin e njëanshëm, por njohjen dhe respektin reciprok, kurse njohja dhe respekti reciprok nënkuptojnë gërshetimin dhe ndikimin e përbashkët të letërsive dhe të kulturave të tyre.
Çështja e ndikimit të kulturave të popujve të ndryshëm, e sidomos çështja e ndikimit të letërsive, është një çështje që ju intereson jo vetëm shkrimtarëve dhe studjuesve të tyre, por edhe prisve popullorë. Në kohën e sotme, kur ndasitë fetare janë zëvendësuar ose, plotësuar edhe prej ndasive ideologjike, ky është një problem i ndërlikuar, që lidhet qoftë me shëndetin ideologjik, qoftë me dinjitetin kombëtar të popujve dhe shteteve. Nuk është çudi, prandaj, pse edhe në jetën tonë kulturore e letrare kjo çështje është aktuale dhe në lidhje me të shfaqen mendime pak a shumë të ndryshme. Kështu, për shembull, një numër shkrimtarësh dhe studiuesish të tyre pandehin se ne duhet t’i shmangemi
sa është e mundur më shumë ndikimit të huaj dhe të mbështetemi në trashëgiminë tonë pozitive, përparimtare e në radhë të parë në letërsinë popullore, që duhet të jetë frymëzuesi dhe mësuesi ynë kryesor.

Duke u nisur prej mendimit se ne duhet të jemi të emancipuar e të pavarur në të gjitha pikëpamjet, prandaj edhe në pikëpamje të krijimtarisë letrare, ata kujdesen të gjejnë mjaft argumente, me të cilat do ta mbështetnin një mendim të tillë.

Një prej këtyre argumenteve, që mirret si më kryesori, është ky: janë dashur shumë përpjekje të pareshtura që letërsia shqipe dhe kultura shqiptare të shkoqen prej ndikimit të kulturës së Lindjes, kurse populli të çlirohet prej përtacisë së njohur dhe plogështisë anadollake, me të cilat ishte pajisur gjatë shekujve të robërisë, prandaj, në qoftë se, më në fund, kemi mbërritur të çlirohemi prej këtyre veseve anadollake (e është pikëpyetje sa kemi arritur të çlirohemi prej tyre) si edhe prej ndikimit gjuhësor oriental, atëherë nuk kemi arsye t’i nënshtrohemi ndikimit të fortë të ndonjë kulture dhe letërsie tjetër, përpos ndikimit të krijimtarisë shpirtërore të popullit tonë, në të cilën është shprehur gjenialiteti krijues i shqiptarëve dhe veçoria etnopsikologjike e tyre.

Partizanët e këtij qëndrimi, kur flasin për ndikimin e kulturave të huaja, atëherë, rëndom, kanë parasysh ndikimin eventual negativ që, përmes letërsisë dhe arteve, mund të shprehet në jetën ideologjike.

E thënë shkurt, ata mendojnë me të drejtë se, si në kulturën përgjithësisht ashtu edhe në letërsinë veçanërisht, ne duhet të tregojmë se nuk jemi satelitë të askujt.
Në anën tjetër janë shkrimtarët dhe studiuesit e tyre që pohojnë se ne, si një popull i vogël, me një kulturë akoma modeste, me një traditë jo aq të gjatë dhe të pasur, duhet
të mësojmë sa më shumë prej të tjerëve, e në radhë të parë prej letërsive të popujve të mëdhenj në numër, të cilët kanë një traditë shumë më të gjatë dhe më të pasur si dhe
një letërsi shumë të njohur.

Duke mos i marrë parasysh kushtet tona historike dhe shoqërore aq sa as ritmin specifik të zhvillimit të kulturës shqiptare dhe të letërsisë shqipe, ata mendojnë se ne duhet të mbajmë hapin me të tjerët: të qëndrojmë në nivelin e ideve, të formave dhe të kërkesave të tjera bashkëkohore të shprehjes artistike.

Pikëpamjen e vet ata e dëshmojnë shpesh edhe në praktikën krijuese: entuziazmin për Jeseninin e zëvendësojnë shpejt me entuziazmin për Lorkën, entuziazmin për Apolinerin me entuziazmin për Eliotin, entuziazmin për Kafkën me entuziazmin për Heminguein, entuziazmin për Xhojsin me entuziazmin për Kamynë, kurse entuziazmin për Sartrin me entuziazmin për Xhorxh Orvellin, e të tjerë. Nuk është rastisje, prandaj, pse në letërsinë tonë mund të hasen vepra, të cilat të lënë përshtypjen se nuk janë shkruar prej shkrimtarit shqiptar dhe të cilat, po të kishin vlerën e duhur artistike, fare lehtë do të mund t’i nënshkruante ndonjë francez, anglez, rus apo amerikan.

Duke dashur t’i shmangen të ashtuquajturit izolacionizëm letrar dhe kulturor, ata gjenden kështu në një gozitë tjetër, të skajshme, që, në disa raste të posaçme, do të mund të quhej epigonizëm.


*Shkëputur nga libri ‘Panteoni i rralluar- studime, kritika, ese’ i autorit Rexhep Qosja)

ObserverKult


Drita Çomo, portret

Lexo edhe:

TRI POEZI NGA POETJA E PAFAT, DRITA ÇOMO

PËR TY

Lëkunden pishat nën retë që ikin,
Ikin e ikin retë nëpër shi…
Unë pres të shoh pas reve pak qiell,
Ashtu siç pres pasditeve, të më telefonosh ti.
Po ti s’dukesh gjëkund.
Ku paske humbur,
Ka kaq ditë që pres.
Dhe bie shi…
Si mund të jetoj, pa pak qiell të kaltër,
Si mund të jetoj, pa zërin tënd, pa ty.
Ti do vish, unë e di, do vish patjetër,
Po unë dua të vish tani, nëpër shi,
Pastaj retë do të ikin dhe do të dalë dielli
Po unë dua diellin të ma sjellësh ti

VETMIA

Vetmia është zilja e telefonit
Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e zbrazët
Me biseda boshe dhe pa diell.

Vetmia është të shikosh pas xhamit
Njerëz që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia e gjatë para gjumit
Dhe vapa në netët pa hënë.

Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.

Të jesh kudo, i tepërt, i huaj
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të të bëjë të vuash
Pa një shpresë për atë që do të vijë.

Po ankthi i ditëve të mia pa ty
Ankthi im i përhershëm
Për të gjitha ato që i di dhe s’i di
Kjo është diçka tjetër.

Minutat që ikin ngadalë-ngadalë
Rënduar nga ajo që quhet pritje
Rënduar nga ai që quhet mall
Dhe që nuk llogaritet…

SHI

Shiu përplasi mbi xhama trishtimin
Shiu përplasi në xhama mërzinë
Shiu i lagu të gjitha mendimet
Për ditët që ikën dhe ato që do vijnë

Mendime të lagura…si të jetosh
Në ketë qullje të përgjithshme idesh
Kur nuk gjen asgjë te askush që ta çmosh
Kur nga brenda qan dhe gjithkujt i qesh

Ç’mund të bësh tjetër veç të qeshësh me zor
Në ketë turp të dhimbshëm dhe pa fund
Të gjithë fjalë të bukura të thonë
Po askush nuk ngurron të bëjë ç’të mundë

Poezitë mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult