KËMISHA E GJAKUT, poezi nga Ag Apolloni
Sa e zezë kjo natë!
Sonte ferri paska dalë mbi tokë.
Natë ideale për me marrë hak.
Kambana e kobshme më kumbon në kokë,
kudo i ndjej yshtjet: gjak! gjak! gjak!
Pa dalë! Ç’dritë feks n’atë dritare?
Para kam flakën e zemrës,
mbrapa këmishën me gjak.
Shih sa bukur ajo faqen e pshtet mbi dorë!
Ah, sikur mos ta dinte që unë jam Montag!
Hesht, i them vetes, ajo po flet!
-E mjera unë! Ah, unë e shkreta!
Mos është ëndërr kjo që po shoh,
se kaq e ëmbël s’mund të jetë e vërteta?
-Ag, oh, Ag, pse je Montag?
Moho tët atë e flake këtë emër,
a ndryshe m’u beto që më do përjetë,
dhe s’dua më të quhem kurrë Kapulet.
–Dobro jutro, srce! Pse të qeshin sytë?
Vërtet mesnata sapo ka ardhë,
po ti je dielli që natën mua ma zdrit.
Ajo më sheh si engjëll e më përshpërit:
-Armiku im është vetëm emri yt.
Unë mbes në mes të rrugës i zbehtë si muranë,
e vdekja këmishën ma valëvit në vig,
engjëlli nga ballkoni sytë nuk m’i ndan.
Bukurinë e saj mos e paftë syni i lig!
Me të dy këmbët shkel mbi kanun
dhe mallkoj atë që bekoi marrjen e hakut,
familjet tona të marra le të mendojnë ç’të duan,
po unë e dua këmishën e saj të natës,
jo këmishën time të gjakut.
ObserverKult
Lexo edhe: