Agim Bajrami: Njeriu ujk!

Se kisha larg as dy pëllëmbë
Fliste pa fund në celular
Për drekën e pasur që sapo kish ngrënë
Me pula dhe mishra në zgarë.

Më pas kish tharë një shishe verë
(Nga ajo italiania e vjetër)
Nëse e shoqja s’do ta kishte ndërprerë
Do kish tharë dhe një tjetër.

Dhe prapë me zor priste të hante
E ç’janë dy pula për një burrë
Për darkë do sulej nga e bija
Se kish bërë kec të njomë në furrë.

Çdo cast puliste sytë nga qejfi
Dhe një e dy fërkonte barkun
Të gjithë provojnë orgazma seksi
Ndërsa ky kish “orgazmë” stomaku.

Me gromësima mbushte ajrin
Sa herë që fliste, hapte gojë
Nëse s’do ngrihesha, për të shkuar
Do kisha vjellë, se diskutoj.

E kisha një tryezë më tutje
(Në kafenenë ku isha mbrëmë)
Njeri me dhëmbë dhe oreks ujku
Krijuar vetëm për të ngrënë!

ObserverKult