Agim Bajrami: Të kisha thënë…

agim bajrami


Të kisha thënë, që s’dua të të humb
Dhe për këtë mund të bëja gjithçka
Përshembull, do të të nisja dyzet puthje me një pëllumb
Sa herë të ishim larg.

S’ka gjë se gjithë puthjet, do t’i merrnin ata
(Diçka do më sillnin dhe mua )
Pëllumbat janë miq me zemër të bardhë
Prandaj dhe i dua.

Të kisha premtuar se emrin tënd do ta gdhendja pranë emrit tim
Me një daltë të tejdukshme prej drite
Të prisnim së bashku të njëjtin agim
Dhe të njëjtin perëndim nëpër vite.

Të ulur mbi një shkëmb të bregut
Me sy mbi valët buzëqeshur
Mbi kokë dy kapa marinarësh
Dhe nga një bluzë të kaltër veshur.

Të kisha premtuar dhe për këtë s’jam penduar
(Paçka se me to firmosa fundin tim )
Pëllumbat që do të nisja, dikush i ka helmuar
Sigurisht me qëllim.

Nuk di ç’iu bënë ata të mirët
Që ngado mbillnin bardhësi?
Unë mund të dyshoj tek shumë njerëz njëherësh
Pa të përjashtuar ty!

Të kisha thënë se kurrë nuk do të doja të të humbja
(Por ti deshe të humbisje vetë)
Të paktën të më çoje një ngushëllim për pëllumbat
Që i krijova për ty, enkas nga retë.

ObserverKult