Agim Doçi: Në ëndrra Nënë, po më vjen rrallë…

Një jetë tek nëna, kokën e mbështeta
Nga gjoksi i saj, unë kurrë s’u ndava
Një jetë të tërë, më rriti malli…
Dhe kurrë me nënën, unë nuk u çmalla!

Kur isha i vogël, nëna më thoshte;
– do bëhesh gjysh, e s’do jetë vonë!
Më mori malli, për të gjith’ nënat
sa shumë mall kam, sa më mungojnë….

Kur isha i vogël, mes qiellit e tokës
Më dukej se nëna, më e mirë e botës…
Ish nëna ime …. askush tjetër…
Legjenda e nënës, e re dhe e vjetër…

S’je mbretëreshë, as perëndi,
Ndonëse e gjithë bota, të bie nën gjunjë,
Fjala e nënës, si me magji,
Dritë i jep jetës, të bën fatlum!

Do ishte qielli dhe më i kaltër!?
Do ishte hëna më pak e zbehtë?
Do ishte toka, ndoshta më e pasur?!
Kur mungon Nëna…nuk është e lehtë.

Më merr shpesh malli, ta puth në duar.
Më merr shpesh malli, t’ia dëgjoj zërin
para pasqyrës… s’e kam harruar,
Kur Nëna merrte në duar krehrin…

Dhe zbukurohej, siç di veç nëna…
Kur nga shërbimi kthehej babai.
Ia kish zili, madje dhe hëna…!
Nga malli i madh..më vjen të qaj.

Tani jam plakur, zbardhur nga thinjat
Madje dhe mbesat : – O GJYSH! – më thonë.
Seç NDJEVA MALL, PËR TË GJITHË Nënat!!!
Sa shumë kam mall…sa më mungojnë.

Ju nuk e keni njohur nënën time
Ajo hijeshon e buzëqeshur në fotografi,
Më vjen në ëndrra…më vjen në kujtime
Ajo ishte si të gjitha Nënat – det me dashuri.

Nuk e mbaj mend, të zemëruar,
Me mall kujtoj, fjalën e ngrohtë,
Sa dashuri, më ka dhuruar.
Në sytë e saj, nuk pashë kurrë lot.

Ndaj themi Nënë, kur na ther zemra!
Ndaj vjen çdo natë, nëna në ëndrra!
Dorën e saj, e ndjej në gjumë….
Ndonëse më fal, kurrë s’i thashë unë!…

Në ëndrra Nënë, po më vjen rrallë,
Ndonëse tek varri, kam ardhur shpesh,
Çdo lot i imi, pikon veç mall,
Ti nuk më flet, vetëm buzëqesh…

*Titulli i origjinalit: “Nëna”

ObserverKult


Lexo edhe:

AGIM DOÇI: ÇFARË KANË NJERËZIT QË EGËRSOHEN?