Agim Doçi: U bëmë si të huaj me njëri-tjetrin…

U bëmë si të huaj me njëri-tjetrin
ndaj mbetëm pronarë psherëtimash…
Në radhë qëndrojmë të takojmë Shën Pjetrin
kjo kohë e maskarenjëve…morali struket vrimash…

Ushtarë të idealeve…ulogë të përjetshëm
kur kodet moralë janë në…bregun tjetër.
Ky det me ujëlotësh na gjen të pandreqshëm
arrnojmë plagën e ré me plagën e …vjetër!

Në udhë metropolesh, stacione të trenit,
në portet e ndyra dhe pista avionesh
Shikoj racën time, që bën jetën e qenit
dhe trurin e atdheut në stinë menstruacionesh…

Hej zgjohuni Shenjtër dhe zbrisni nga Kishat!
Hej zgjohuni Pejgamberë e dilni nga Xhamitë!
Se kohët që erdhën na rrënqethin mishrat
na vodhën atdheun…na vodhën poezitë!

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

Agim Doçi: Çfarë kanë njerëzit që egërsohen?

Agim Doçi: Unë mirë e di çfarë do një grua… .