Agim Spahiu: S’më lë mjegulla të të shoh…

e diela agim spahiu

Poezi nga Agim Spahiu

… s’më lë mjegulla të të shoh, of, të të shoh,
pezmi im,
helmi im!
E largoj me dorë – afron,
me krahë e pres – qesh e më mbulon,
më mbështillet, rreth meje përdridhet,
i fryj sa kam fuqi e prapë s’të shoh ty, helmi im,
pezmi im!
Dhe dal nëpër hënë vetëm, kur mjegulla ka tretur,
qaj kodrat me radhë, qaj malet e larta
e ti s’je as zë as hije, laznorja ime…
S’më lënë njerëzit të të prek, of, me ty të flas,
të qesh,
s’më lënë dhe dal nën hënë vetëm,
kur njerëzit kanë fjetur.
Shtrihem mbi barin që dhemb për hapin tënd
e ti s’je më as zë as hije, laznorja ime…
Vetëm-o, cingthi – pres mjegull të mos ketë
e prapë të shoh, të prek, të flas e të qesh me ty,
helmi im, pezmi im!

*Titulli i origjinalit: “Vizatime dashurie në terr /Kënga 3/
Mall”


LEXO EDHE:

AGIM SPAHIU: E DASHURA IME I HARROI FJALËT…

E dashura ime i harroi fjalët
si të mos ishin kurrë…

U dashurua me heshtjen.

Një mollë e kuqe – gjak si faqja jote
midis shpatullave më ra, –
asnjë plumb s’ka me m’dhimbtë më shumë
në vdeksha pa të parë…

Sa herë mollët të piqen si kësaj dite
hidhi kokrrat udhës nga shkova,
dhe unë do të ndiej dhimbje ku shitove,
e miro.

Në u martofsh, mollë mos pastë kund në botë!…

Ti me lot do t’i qash sa herë t’i shikosh,
unë dhimbje do ndiej sa herë ti prek, pse ta fsheh

Dhe në diell të dytë s’të harroj, e miro!

ObserverKult