Poezi nga Agron Tufa
U mërzit Penelopa nga lavdia e burrit,
(e deshte lavdinë, por të kishte një cak…),
ndaj namë e mallkime i lshonte Amurit –
Apolit – shpagë!
Ngado i sheh syni Odise-dinakun:
avëlmend’ i valëve i end mjekrrën e bukur.
E muzgjet i duket se shkërbejnë gjakun
e valë teukër.
E gjora grua! Në pritje, ndërdyshaz,
vetveten, virtytin e thur dhe e shthur:
Të falem Apol! Mallkuar Amur –
që zemrën ma mpive me shpresa t’gënjeshtra!
Hyjtë nuk deshën t’jem unë Klitemnestra,
ndaj thur edhe shthur…
ObserverKult
Lexo edhe:
AGRON TUFA: KOHA E MAHNISË MBAROI…
Koha e mahnisë mbaroi…
dhe flaka që digjet, nuk djeg.
Ashtu dhe fjala prej shapit të shpirtit –
flegrin e digjet, po askënd nuk prek.
Metaforat në trumba i pushtuan degët;
Ato mes flakësh shkërbejnë mëllenja.
Afrohu dhe preki: ato janë të gjalla,
të gatshme të zbrazin qindra rrëfenja.
Koha e mahnisë mbaroi.
Ç’ka ndodhur me ty, Moisi?
Mos zëri i Hyjit s’të hyn më në punë?
Shpërfillja avitet. Imzot, ku je Ti?
Mes zërave të turmës? Zëri në tribunë?
Jehonë liderësh që sheshi përsëdyt?
Zëri në ëndërr që zgjon në mesnatë?
Je zëri që cyt a zëri që mbyt
vullnetet e tredhura në negociatë?
Rrotullohen stinët – lampadarë ciklikë…
Dhe koha hedh valle me diej e hëna.
Të tëra janë thënë. Nuk ka pos muzikë:
tatuazh pikëllimi, të vërteta të ngrëna.
Ku ma gjen shkretëtirën…! Oaze të rinj
vërvisin ventuzat nga skaji në skaj.
“Një rrjet na bashkon”.
Është rrjeti malinj…
S’ia vlen më të ngjitesh prapë në Sinai.