Ai mbeti një enigmë… ishte zhdukur pa lënë gjurmë

Foto ilustrim

Nga Ivan Turgeniev

Për drekë ajo erdhi në dhomën e ngrënies. Ishte shumë e qetë dhe e dashur megjithatë, vazhdonte të ankohej se ndihej e lodhur. Por nuk e kish më atë shqetësim, as të papriturat e vazhdueshme të mëparshme dhe frikën e fshehtë dhe, kur të nesërmen, pasi iku Mucio, Fabio nisi të punojë përsëri portretin e saj, ai gjeti në tiparet atë shprehje të pastër, errësimi i papritur i së cilës, aq shumë ia kish trazuar shpirtin dhe peneli rrëshqiti në pëlhurë lehtësisht dhe i sigurt.
Bashkëshortët nisën të jetojnë si më parë. Mucio për ta u zhduk, sikur të mos kish ekzistuar ndonjëherë. Dhe Fabio e Valeria, vendosën që të dy, të mos e kujtojnë as dhe një çast të vetëm, të mos pyesin për fatin e mëtejshëm: ai, mbeti për të gjithë një enigmë, Mucio, vërtet, ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Njëherë Fabios iu duk, se e ndiente për detyrë t’i tregontë Valerias se çfarë kishte ndodhur asaj nate fatale, por ajo, siç duket, i ra në të dhe mbajti frymën, puliti sytë, sikur priste goditje… Dhe Fabio ia kuptoi mendimin: ai nuk ia dha atë goditje shpirtërore.
Në një ditë të bukur vjeshte, Fabio po e përfundonte figurën e Sesilias së shenjtë; Valeria ishte ulur para organos, gishtat e saj rrëshqisnin nëpër tastierë… Papritur, pa dëshirën e saj, nën duart e saj tingëlloi ajo kënga e dashurisë ngadhënjyese, që dikur i kish rënë për të Mucio dhe, po në atë çast, për herë të parë pas martesës, ajo ndjeu brenda vetes drithërimën e një jete të re që po lindte… Valeria shtangu dhe ndali…
Ç’ishte kjo? A ishte e mundur…

Pjesë e shkëputur nga “Ngadhënjimi i dashurisë”

ObserverKult

Lexo edhe:

IVAN TURGENIEV: LAMTUMIRË, NE NUK DO TË SHIHEMI MË…