Aishja Arnaut: Iku, s’tha asnjë fjalë…

aisha arnaut

Poezi nga Aishja Arnaut

Veshi këmishën.
Mori ombrellën.
S’ tha asnjë fjalë.
Aq më pak unë.

Pasi shkoi,
qëndrova kundruall pasqyrës.
Nxora gjuhën
për të parë nëse kishin ngecur në të fjalë.
Për fat të keq
pashë veç muskuj e damarë.

Tërhoqa gjuhën.
Shpërtheva në gaz.
E qeshura nuk është fjalë.
Mandej theva pasqyrën.

Që nga ajo kohë,
vazhdova të thyeja pasqyra
padobishëm,
duke kërkuar një
që s’ pasqyronte më.
Një pasqyrë
që të më thyejë mua.


Ujdisi shqip Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

NUK KAM MËKATUAR SA DUHET… POEZI NGA JOUMANA HADDAD

Jam Lilita, gruaja fat.
Asnjë burrë nuk ia doli
t’i shpëtonte magjepsjes sime,
asnjë burrë nuk do të donte t’ia mbathte prej saj.

Jam Lilita, hënë e dyzuar.
E zeza përmbushet me të bardhën,
se dëlirësia ime është shkëndija e shthurjes,
unë, e përkora, zanafilla e së mundshmes.
Jam gruaja parajsë që ra prej qiellit.
Jam unë, parajsa e dorëzimit.

Unë, virgjëresha fytyrëqiellore e veskeqes, nëna-dashnore
dhe gruaja-burrë.
Nata, sepse jam dita,
e djathta, sepse jam e majta,
Jugu, sepse jam Veriu.

Jam Lilita, gjinjtë e bardhë.
I papërballueshëm hiri im, se kam floknajë korb të zezë dhe të gjatë
e sytë e mi janë të mjaltë.
Unë, gruaja parake,
kurrë e kënaqur,
sepse jam takimi i përkryer,
përmbushja dhe arritja,
rebelja e mospranimit.
Legjenda thotë se nga toka u krijova për të qenë gruaja e parë e Adamit,
por unë kurrë nuk iu binda.

Poezinë e plotë e gjeni KËTU