Ndonëse kanë kaluar disa muaj që kur godina ku kaloi një jetë të tërë u bë rrafsh me tokën, aktorit Naun Shundi nuk i është zbehur aspak trishtimi për Teatrin Kombëtar. Po aq sa veprimi, i dhemb mënyra se si u krye. Pabesi kombëtare.
Në këtë intervistë, aktori i njohur shpreh dhimbjen për shembjen e Teatrit Kombëtar bashkë me keqardhjen për kolegët që nuk mbështetën kauzën për ta mbajtur në këmbë atë. E vetmja gjë që i ka mbetur janë mozaikët e fotove në muret e shtëpisë së tij. Aq i madh është zhgënjimi sa e ka të vështirë të besojë edhe në kauzën e rindërtimit, të artikuluar nga Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit. Aktori duartroket këta të fundit që janë bërë bashkë, teksa u druhet edhe “të këqijve” që thotë se janë po kaq bashkë kundër vendit.
Çfarë ju shtyu që të vijoni të jeni në krah të mbështetësve për mosshembjen e Teatrit dhe sot “siç ishte, aty ku ishte”?
Më shtyu ajo që do të shtynte çdo artist që ka kontribuar në atë teatër për të përqafuar kauzën, se kështu e ka marrë emrin tashmë. Më vjen keq se ka pasur shumë artistë që fillimisht e përkrahën kauzën, por me kalimin e kohës, për shumë arsye që unë nuk dua të gjykoj, u larguan. Megjithatë kjo nuk më tërhoqi, jo se jam ndonjë trim i madh unë dhe që nuk kam frikë nga kërcënimet, por sepse nuk dua të hyj në konflikt me njerëzit të cilët nuk janë dakord më mendimet e mia. Gjithsekush varet nga mendja e vet. Kur them nuk dua t’i gjykoj, them se nuk dua t’i gjykoj keq me një fjalë, se për të gjykuar normalisht gjykohen pasi një që mendon, edhe gjykon. Keq më vjen që edhe disa te të cilët kisha shumë besim se do të ishin në krah të kësaj kauze u lodhën, u frikësuan, ose mbase u joshën. Këto janë arsye që i nxjerr unë. Unë mendoj se kam argumente sa të duash që ai teatër duhej të kishte qëndruar ashtu siç ishte për t’u rikonstruktuar. Arsyeja që nxirrnin ata që ishin kundër ishte që teatri qe i vjetër dhe se kishim nevojë për një të ri. Unë them që Tirana ka nevojë të paktën për nja 10 teatro të rinj. Ky është një argument që nuk qëndron. Asnjë nga argumentet, gjithmonë sipas mendimit tim, ngritur pro shembjes së asaj godine, nuk qëndrojnë. I vetmi argument që qëndron është interesi, leku, paraja. E gjithë puna është këtu. Nuk është problemi nëse i dhimbset apo nuk i dhimbset njeriu ajo godinë. Nuk është puna se qajnë hallin e aktorëve se punonin në kushte mizërie. Nuk është e vërtetë; e gjithë puna përmblidhet në dy fjalë: lekë dhe para, ose më saktë, EURO. Tani kanë qejf të flasin me euro. Po hyri pazari në mes, çdo gjë mban erë shumë shumë të keqe. Dhe nuk të vjen më jo të hysh në atë godinë, të re them (n.q.s do të bëhet gjithmonë), por as t’i afrohesh.
Eurot bënë që pas dy vitesh e tre muajsh të vinte ajo ditë e zezë jo vetëm për teatrin, por për të gjithë artin dhe kulturën shqiptare. Si e përjetuat 17 majin, pasi shoh se pas jush, në murin e shtëpisë ku jetoni, ndeshesh me një mozaik me copëzat e teatrit.
U bënë realisht shumë vite në atë teatër. Jam aty që në vitin 1983. Një jetë e tërë. Kështu që është shumë e vështirë të pranoj shembjen. Ja, edhe qeni im i shtëpisë po leh në këtë moment si për të protestuar. Nuk dua t’i hyj tani argumenteve për vlerat që kishte, sepse ngaqë nuk ka kaluar shumë kohë nga shembja, ndihem keq. Është si ai fenomeni që njeriu gjërat e trishtueshme nuk do t’i kujtojë më. Sa herë që më kujtohet, thjesht trishtohem. Më vjen keq, sepse të them të vërtetën, kisha pak shpresë se do të mund të shpëtohej ajo godinë. Por jo, gabova. Gabova sepse nuk mendova që do të arrinte deri këtu makutëria dhe hajdutllëku. Tani, mund të presësh çdo gjë. Mund të pres të më shembin edhe shtëpinë pas kësaj. Kur institucione shumë të rëndësishme ndërkombëtare kanë qenë vazhdimisht në mbrojtje të asaj godine… dhe të ngrihet një kryetar bashkie, bashkë me një Kryeministër… dhe ta shembi…. Kjo është ulje. Ulje jo vetëm për teatrin, por për të gjithë Tiranën. Domethënë, është ajo shprehja: topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë. Por, ke parë ti që nuk dalin asnjëherë huq? Atë që kanë thënë se do ta bënin, e bënë dhe po vazhdojnë ta bëjnë. Kjo është fatkeqësi për ne, për Shqipërinë. Unë nuk nisem për politikë këtu. Njerëz të tillë që marrin përsipër të shkatërrojnë, duke e motivuar që ne do të ndërtojmë më të mirën, nuk i duhen këtij vendi.
Tani jemi me kauzën e rindërtimit të teatrit “ashtu siç ishte dhe aty ku ishte”, keni besim se do të rindërtohet?
Kur ke një goditje të freskët dhe vetë njeriu e pranon që “gabova, nuk e besova se do të shembej”, kam frikë të gaboj prapë. Kështu që nuk e di. Nuk e di vërtet.
Teatrin tuaj që e keni në muret e shtëpisë e ruajtët, mendoni se do të vijë dita që do të prishin edhe teatrin brenda vetes sonë?
Jo. Ajo nuk varet nga ata. Ajo varet nga gjithsecili prej nesh. Teatrin nuk e kanë shpikur ata që e shembën. As unë nuk e kam shpikur. Teatri pa diskutim që do të vazhdojë. Në mos atje, diku tjetër, pa diskutim që do vazhdojë të jetojë. Do të vazhdojë, sepse teatri është nevojë; është nevojë shpirtërore që nuk e kompenson dot asgjë tjetër. Unë nuk flas thjesht si aktor në këtë rast, flas edhe si spektator. Ne banojmë në Tiranë, që me ç’thonë, ka shkuar në një milion banorë, dhe kemi vetëm një teatër. Kjo është fatkeqësi e madhe. Nuk munden një milion banorë të kenë vetëm një teatër. S’ka se si?! Do të thuash se njerëzit kanë probleme të tjera, jo po s’kanë bukë për të ngrënë, jo po fukarallëku po na mbyt. Nuk është se duke shkuar në teatër njerëzit do të bëhen më fukarenj. Përkundrazi, është një vlerë që çdo komb e ka, duhet ta mbajë dhe ta ketë.
Keni një mesazh për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit?
Në radhë të parë falënderoj ata qindra e qindra mbështetës, jo për faktin se janë në krahun tim, por sepse janë aty për më shumë, jo për përfitime vetjake. Nuk e harroj faktin se rreth një vit e gjysmë kanë sakrifikuar që ajo godinë të mos shembej, pavarësisht se çfarë ndodhi dhe si ndodhi më pas. I keq jo vetëm fakti që u prish, por edhe mënyra se si u vërsul Policia për ta prishur. Qe shumë ofenduese. Mbaj mend një deklaratë të ministrit të Brendshëm që tha se kishim sinjalizime që brenda godinës fshiheshin lëndë eksplozive, shpërthyese. Domethënë, këta që mbronin teatrin, kishin eksploziv për ta shembur… se eksplozivi shërben për të shembur, jo për ta ruajtur një gjë. Çfarë është ky palaçollëk? Argumente që të lënë pa fjalë. Për të vijuar me falënderimet… Ky lloj qëndrimi tregoi edhe njëherë që kur na bashkon një qëllim i mirë, bëhemi bashkë. E keqja është se po kaq bashkë po bëhen edhe ata që kanë qëllime të këqija. Këtë duhet ta luftojmë dhe ta shkatërrojmë./Panorama