Rajmonda Bulku ndan kujtime nga sheshxhirimet: Ku ishte Guljelmi ishte humori, personalitet i veçantë

Për aktoren e njohur Rajmonda Bulku, ndarja nga jeta e ‘Mjeshtrit të Madh’, Guljelm Radoja, është një lajm i trishtë për të gjithë.

Në një lidhje telefonike me News24, ndërsa ndau kujtime me të në sheshxhirime, Rajmonda Bulku tha se Guljelm Radoja ishte një artist i mrekullueshëm dhe figura si ai kanë një personalitet të veçantë, që do mbetet sa të jemi gjallë.

“Për gjendjen e tij lidhesha me miq që kishin lidhje më të afërta me të birin. Në këto momente nuk lidhesh dot me personin. Nuk e mora vesh pse po e pësonte aq keq këtë flamë. Nganjëherë thua se kur zgjat të jep shpresë se po ia hedh, më erdhi keq kur e lexova sot. Keq si njeri, si mik, si artist. Ishte i jashtëzakonshëm. Njeri që e donte shumë punën, kinemanë, krijonte atmosferë të jashtëzakonshme.

Çfarë kujtoni nga shesh xhirimet?
Është nga ata pak aktorë që unë kam nisur në filmin e parë. Kemi punuar bashkë në atë vështirësinë e ngjitjeve në Dardhë, unë dorëzohesha, dhe zgjatej dora e tij, e thoshte ‘jepi s’ke pse të kesh frikë’. ishte një miqësi e sinqertë, atëherë isha një gjimnaziste që nuk dija asgjë, por kisha pranë një njeri që u kujdes për cdo gjë.

E kishit takuar së fundi?
Për herë të fundit, kemi shkuar në Korçë për një recital poezish. Kishte një grua të mrekullueshme dhe muzikante të jashtëzakonshme, një çift shumë simpatik. Kalonim ditë të bukura ishin takime që kujtonim punët tona, marrëzitë tona, këto vështirësitë që përmenda. Ishte njeri me atmosferë të jashtëzakonshme. Ku ishte Guljelmi ishte humori, njeri i dashur. Artist i mrekullueshëm, figura si ai kanë një personalitet të vecantë, që do mbetet sa të jemi gjallë./BW

LEXO EDHE: Kur Guljelm Radoja tregonte për rolin e jetës: “‘Si na e mori ai shkodrani, ai maloku”