Alban Bala: As n’ândrrat ma të guximshme

as n’ândrrat ma të guximshme
nuk kam mujtë me gjetë
nji gjâ kaq t’rrallë e t’çmueshme si ti:

kristal i kaltër, rubin ngjyrë ajri,
fllad torkuaz i veshun me diell,
përrallë përmbi përrallat q’i andrrojnë fëmijët
kur ndajnë të rriten

as nëpër ândrra nuk e kisha pritë
me gjetë zânin tand prej fildishit,
dritën e mêndjes, butsinë e shpirtit,
m’ndafshin e artë të drojës së brishtë

hijeshinë e hyjnisë që ec’ përmbi Tokë
me shkelën e urtë të guximit,
shikimin e naltë q’i mban zogjtë në ajër
dhe qeshjen që mbramjes ndez yjet

as nëpër ândrra nuk e kisha pritë
me gjetë kaq shumë frymë në dy sy.
Paskam lé për me pá dy Hána në qiell
e për me ândrru veç nji f’tyrë…

E kam ditë
se Zoti âsht i mirë
fort i mirë…