Albana Beqiri: Do largohem si ëndërr e tretur në mëngjes…

albana beqiri vdekja

Ndoshta do të shkoj me hapin e menduar
në një prej mëngjeseve të veshur me brymë
nga lart yjet do rrëshqasin lagësht si vesë
veç unë do ta di se është loti im i trishtuar
edhe një herë do të mbështjell pahetueshëm
me frymë
dhe do largohem si ëndërr e tretur në mëngjes…

Me dy fjalë të pathëna, me pak trishtim në sy,
me shumë dëshira të heshtura dhe dy pika lot që
nuk rrjedhin
brenda vetes dashurinë si në kasafortë e ndryj
dhe ulem në pragun e ëndrrave që të pafryma heshtin
do ta shoh edhe një herë pragun nga ku hyn në kujtime
si një lule e sapoçelur përhap aromën e ëmbël që dejet
m’i deh
diçka që nuk e shoh më mban lidhur e s’më iket
në cep të syrit fsheh shirat e trazuar që qajnë në qiell

Ndoshta do të shkoj në një ditë kur nuk ka diell,
do të largohem si ëndërr e tretur në mëngjes…