Albana Beqiri: Më ke dënuar që të të dua pafundësisht

albana beqiri vdekja

Do të kthehem sërish te shtegu i praruar i dashurisë,
ku të takova Ty.
Me mallin e të gjitha çasteve që ishim bashkë
do të kthehem.
Do të kërkoj gjurmët e drithërimave që t’i fsheha
befasisht në sy,
do të kërkoj prekjet që t’i kam fshehur mes brinjëve,
afër zemrës….

Do të kërkoj hapat e tu që si vegime mjegullore
qëndisnin rrugën
Edhe detin e heshtjes tënde që ta fsheha nën qepallë
do ta kërkoj,
do të kërkoj stinën e gjelbër të dashurisë që ta fsheha
bukur te buzët
do të kthehem si gjurmë e përflakur, vullkanet e dëshirave
do të zgjoj…

do t’i marr të gjitha: kujtesën prej ajri, shqisat e uritura dhe sekretet
që vetëm ti i di
edhe gjurmët e heshtura, prekjet prej bryme, humbjet e paluara bukur
do t’i marr
udhëve të gjata e të trishta të vetmisë që qan në një cep moshe
do të të kërkoj ty
pastaj do të të shtrëngoj fort mes buzëve të mia prej malli,
si margaritar

Vij drejt teje, e gjallë- jo kujtim i harruar shkujdesshëm
në ëndrrat e natës,
Ti je pëshpërimë sysh mbërthyer dritës si qiell i shtangur
në drithërimat e zemrës
unë zgjas dorën: dua aq shumë të të ruaj nga të gjitha dhembjet
dhe të gjitha ankthet
ti fshihesh brenda syve të mi, rreze dielli që ma ndrin e ma ban
më të bukur jetën

Më ke dënuar që të të dua pafundësisht si njeriu do veten.

LEXO EDHE: Albana Beqiri: Do largohem si ëndërr e tretur në mëngjes…