Alberto Moravia: Njëjësi dhe shumësi

alberto moravia
Alberto Moravia

Tregim nga Alberto Moravia

Jam një grua e menduar, e heshtur dhe që ka qejf të dëgjojë. Mendimet e mia nuk i lë të rrjedhin; i ruaj për vete. Këtë gjë ma bën të lehtë fytyra ime palluqe, e buzëqeshur, gjithë mirësi. Është një fytyrë kukulle. Dhe a nuk thuhet për atë që i fsheh mendimet dhe ndjenjat e veta se ka një fytyrë të shastisur?
Për fat, kam një burrë që ka dëshirë të flasë, jo si unë të dëgjojë. Burri im është ai tipi që quhet rëndom intelektual. Nuk shkruan, por – nëse do të shkruante- i bie që të ndërpriste aktivitetin e pandërprerë të mendjes, i cili, tek ai, zhvillohet në këtë mënyrë: Çdo fakt ose aspekt i veçantë apo konkret kapet nga mekanizmi që ai ka në kokë dhe trasnformohet në një kosnideratë abstrakte dhe të përgjithshme. Thënë ndryshe: fakti dhe aspekti i paraqitet në “njëjës”, e si mund të ishte ndryshe, e kur flet, gjithmonë ai i referohet atij në “shumës”. Ndërkohë, fakti ose aspekti ka humbur çdo konkretësi, është bërë ireal. Për shembull, e çdo të shikoje gjë më të bukur, në këto ditë me shira vere, se sa ylberin që ka rënë mbi një rrugë fushe, një rreze drite që ka grisur retë, që ngrihet e ushqen me dritë ylberin dhe bie mbi pemët e dendura dhe të fryra të një lugine plot gjelbërim; ndërsa vazhdon të bjerë shiu me rrebesh në kundërdritë.. Por “ylberët” në shumës, me ligjet e tyre dhe me karakteristikat që flet burri im, përpara këtij ylberi që i tregoj unë kaq të veçantë e kaq të mrekullueshëm, çfarë janë? Janë vetëm fjalë, fjalë dhe asgjë tjetër.
Një nga këto ditë burri im shkoi në punë si zakonisht. Intelektual, ka një punë prej intelektuali: është nëpunës në një agjenci reklamash. Por, ndryshe nga herët e tjera, u kthye në shtëpi pas një ore. I isha vënë punës dhe unë (përkthej nga gjermanishtja), kur e shoh të hyjë gati vjedhurazi, me një fytyrë të shqetësuar, i turbulluar. Bëra një gjysmërrotullim nga karrigia ime dhe e pyeta çfarë kishte ndodhur. Burri im është shtatvogël, por ka një kokë të bukur prej doktori të Rilindjes: hundë të madhe e të drejtë, buzë të fryra, sy hijerëndë. Është një maskë energjike: por, siç kam vënë në dukje, ajo fsheh vetëm atë mekanizmin e tij për të transformuar njëjësin në shumës. Tani habitem një moment se si nuk iu përgjigj pyetjes sime menjëherë, si zakonisht duke folur në përgjithësi. Mendova se fakti që e turbullonte duhet të ishte me të vërtetë personal. Veçanësitë sentimentale, mekanizmi i tij i trasnformonte me vështrirësi në llum abstract. Një çast, duke e parë ashtu të heshtur dhe të tërbuar nëpër dhomë, shpresova se, më në fund, për herë të parë që kur rronin bashkë, do ma thoshte gjënë ashtu siç i kishte ndodhur, me të veçantat e saj, origjinalitetin pa e ngatërruar me të tjera të ngjashme.
Prita, pra, e qetë. Pastaj, duke parë se nuk fliste, e lashë karrigen rrotulluese dhe shkova e u ula në divan. Mendova: “Kushedi ç’i ka ndodhur? Me shpresë, gjithnjë me shpresë se do ta thoshte atë “gjënë” në njëjës. Po ma tha edhe këtë herë në “shumës” do të shpërthej”.
Ndërkohë që mendoja kështu, si gjithmonë e shastisur, ndiqja me sy ecejaket e tij. Dhe ja, befas, u dal përpara meje dhe ia filloi: “Praktikisht, profesionet janë hipoteza të ekzistencës dhe kanë nevojë për të tjerët që të mund të konfirmohen. Në shoqëritë kompetitive, këto hipoteza janë gjithmonë në rrezik të mohohen…”.
Ja pra në shumës dhe abstraksion. Më erdhi papritur një shkulm i dhunshëm. Kaq i fortë sa nuk doja t’ia dija fare se çfarë i kishte ndodhur. Hapa gojën dhe shqiptova me sarkazëm: “Bla, bla, bla”.
E kam thënë që burri im ka një kokë doktori të Rilindjes, të tipit të Koleonit, për shembull. Imagjinoni tani, koleonin me gojën hapur nga shtangia: “Ej, ç’pate?”.
“Pata atë që nuk e di ende se ç’të ka ndodhur; por përderisa ti fillon me ato kosnideratat e tua të zakonshme në përgjithësi, as që më intereson fare ta di”.
“E përse nuk do ta dish?’
“Sepse kurrë nuk e thua gjënë.”
“Po çfarë gjëje?”
“Gjënë.”
“Në kuptimin?”
“Në kuptimin: “të veçantën”, ti shkon menjëherë në abstragim, në të përgjithshmen”.
“Është mënyra ime e njohjes së asaj që më ndodh. Prapa gjërave duhen hetuar ligjet që na udhëheqin”.
“Po, por që prej disa kohësh po më bren dyshimi se ti i fabrikon ligjet sipas interesave të tua. Nëse të shkojnë pas qejfit, atëherë e gjithë bota është në rregull. Nëse të bien ndesh, edhe bota është keq. ‘Gjëja’ duhet thënë troç, siç është, pa nxjerrë prej saj ligje apo konsiderata të përgjithshme. Për shembull, nga mënyra se si ia fillove, unë kuptova që ty nuk të ka ecur sot në fushën profesionale. Ndoshta ta kanë përplasur turinjve ndonjë projekt reklame. Por rri i qetë: po të të kishte shkuar mbroth, do të thoje të kundërtën për të vërtetë.”
“E çfarë duhet të bëjë sipas teje?”
“Duhet të ndërgjegjësohesh se njohuria që merr ti nga faktet shkon gjithnjë sipas interesave të tua dhe të bësh si të tjerët, lëri përgjithësimet, thuaj thjesht ‘gjënë’.”
“Me një fjalë, sipas teje, shkoj nga të fryjë era.”
“Në një farë mënyre, po.”
Ajo që kishte ndodhur duhej të ishte më të vërtetë e rëndë, sepse mekanizmi i tij mendor, befas, qe bllokuar. Nuk ia filloi me kurrfarë teorie mbi gratë (unë jam grua); as me detyrat e grave (unë jam gruaja e tij). M’u afrua, i fryrë nga inati dhe më ulëriti: “Të ndaloj të flasësh në këtë mënyrë!”
Erdhi ora e mbarë! Ja, më në fund, diçka e drejtëpërdrejtë, e saktë, konkrete. Desha ta shtyj përpara në këtë rrugë. I thashë ftohtë: “Flas si të më vijë. Je një banderolë, një banderolë shumë llafazane”.
Ja ku më hidhet përsipër. Dhoma jonë e ndjenjes që ka parë zakonisht ligjërimet e tij të gjata dhe dëgjimin tim të heshtur, sheh papritur kokën e Koleonit t’i hidhet asaj përsipër për t’i dhënë ca shpulla. Ia arriti, por jo pa u sforcuar, e për një çast u ndjeva disi e lehtësuar: një rrahje tek e fundit kjo është një rrahje: diçka e veçantë, konkrete. Por, menjëherë pas kësaj mbizotëroi inati. U çova, vrapova nga dhoma ime duke thirrur: “Gjithçka mori fund midis nesh”.
Mora një valixhe, e fusja brenda pa rregull gjërat e para që më binin në dorë. Ja tek hyn, hidhet në këmbët e mia, më pushton me krahë nga gjunjët dhe bënë që të bie në shpinë mbi shtrat, pastaj, me një zë vërtet të dhimbshëm, thot: “Një orë më parë më kanë pushuar nga puna. Tani që jam i papunë dhe ti do më lësh?”
Në fund të fundit, ia arrita qëllimit. Mekanizmi grirës më në fund ishte ndalur përpara revoltës sime; e ja, kishte thënë një fakt të veçantë, ndërkaq, pa e tretur e transformuar në salçiçe ideologjike, e pyeta: “Të kanë pushuar nga puna?”
“Po”.
“Përse?”
“Më thirri kapoja dhe më njoftoi se më zëvendësonte për mungesë rendimenti”.
“Ja një fakt preciz. Mos qaj. Do gjesh një punë tjetër. Dhe unë, rri i qetë, nuk do të lë. E di çfarë do bëjmë tani e tutje?”
“Çfarë?”
“Kur ta kuptoj se po ia fillon avazit të ndonjë teorie të përgjithshme, do të them, por ngadalë dhe pa të keq: bla, bla, bla”.
Tërhoqi hundët i ngushëlluar, tani nuk qante më. E pyeta: “Si është kapoja jot?”
“Një njeri i zakonshëm”.
“Sigurisht nuk është krejt i zakonshëm. Do të ketë… edhe ndonjë shenjë të veçantë.”
“Po, ka një nishan, çthem dhe unë, një lez, thuaj, mbi buzën e sipërme. Duket që këtë mëngjes, duke u rruar e kishte prerë. E lëpinte vazhdimisht, pa më parë fare në sy”.
“Oh, sa antipatik!”
“Nishanët, kur i pret, janë të rrezikshëm. Mund të bëhen kancerozë. Kështu duhet bërë kujdes kur rruhesh, sepse…”
“Bla, bla, bla…”


Përktheu: Durim Taçe

ObserverKult

Lexo edhe:

MORAVIA: SA MË E PAMBËRRIJTSHME BËHEJ, AQ MË SHUMË E DOJA