Ali Podrimja: Koha është të duhemi…

Poezi nga Ali Podrimja

Koha është të duhemi,
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime,
ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës,
do ta ndez llambën në kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi.

ObserverKult


Lexo edhe:

ALI PODRIMJA: HISTORIA E NJË NËNE

Poezi nga Ali POdrimja, je si shpirti im

Lexo edhe:

SALMAN RUZHDIE: BORGES HAPI CA DYER MAGJIKE NË MENDJEN TIME

Në historinë e njerëzimit, e shenjta ka qenë gjithmonë një mënyrë për të heshtur njerëzit. E shenjta do të thotë: “Ne e tregojmë historinë, jo ju”.

Dhe nga ideja e së shenjtës vijnë inkuizicionet, ajatollahët dhe të gjitha ato gjëra. Toka nën këmbët tuaja është një roman i parespektueshëm sepse privilegjon fjalën e individit, autorit të librit, mbi zërin e të tjerëve.

Rilexojmë libra dhe na duken interesante sepse në to dhe në veprat e artit gjejmë zërin e krijuesit, i cili i përket vetëm atij.

Askush tjetër nuk e zotëron atë: asnjë parti politike ose grup interesi, asnjë ideologji… Bëhet fjalë për një individ i cili thotë: “Unë mendoj se kjo është kështu, çfarë mendoni? Secili lexues mund ta pranojë ose refuzojë atë. Kur lexoni një libër dhe mendoni se nuk ia vlen, lëreni, sepse nuk ka asgjë të keqe”.

Tekstin e plote e gjeni KETU