Alisa Velaj: Është ai…

alisa velaj

Është ai, zëri i të cilit rrjedh si lëng mushti nëpër të çarat e mureve të muzgut.
Ai është zë. Zë i muzguar që bie butë- butë kraharorin tim.
Këngë e sapongjizur ai është.
Herë i përngjet pikave të shiut mbi qelqe harrimi, herë bëhet dhe vetë harrim!
Ai është unë dhe unë jam ai, nën të njëjtën hije hardhie, ku zhegu s’guxon kurrë t’ja behë!
Ai është dashuria dhe dashuria është ai.
Ajo e rrëkëllyera si vera e kuqe në të perënduar.
Ajo që herë jam unë e herë diçka e jona ende e paemër!
Ajo nuk ka nevojë as të pagëzohet, sepse për çdo emër të ri dehet edhe më tepër.
Dehet me lëng mushti duke m’i çmendur muzgjet.
Dhe askund s’ka me bukur se sa një muzg i çmendur.
Aty brenda është Ai me një këngë flamingoje në buzë.
I bukuri prej drite, zjarr e brymë tokave të dashurisë!
Ai dhe vetëm ai, në vallëzim me natën dhe me mua…/ ObserverKult