Alma Braja: Largohu

pike
Alma Liço

Largohu si hëna
që ke hedhur mbi supet e një ëndrre.
Zvogëloje figurën tënde e pas
lësho një hije të gjatë
të arrijë deri këtu.
Mos e kthe kokën, se mungesa
nuk do të jetë humbje.
E nëse ishte?
Aspak e parëndësishme.
Largohu e merr me vete
çka la pas ëndrra në zhveshje e sipër.
Fjalë të thëna në heshtje.
Të dëgjuara?
Jo.
Dëshira që ulen mbi fijet e holla prej ndjenje
ato që treten, por mbeten
me formë tjetër.
Largohu e mos e kthe kokën.
Lëshoj edhe unë hijen time.
Kur dy figura largohen në drejtim të kundërt
nën dritën e hënës
hijet takohen.
Kështu zhvishet ëndrra
e mbetet përjetë e bardhë.

ObserverKult