Alma Braja: Ti e nis bukur ditën

pike

Fillon të shkruash
me gishtat që rendin mbi tastierë
jo më si ditët e para
që nervozoheshe sepse iknin mendimet
kur sytë kërkonin shkronjat.
Tani mendimet shkruhen vetë.
Ndonjëherë harron si kalon ora, dita, nata.
I qëndron besnik shkrimit dhe
harron edhe kuptimit e fjalës “ndonjëherë”.

Kujtohesh që nuk jeton më jashtë mureve të shtëpisë
dhe që të është rritur mjekra.
Kur ndalon së shkruari
është se papritur mendimet largohen.
Pasqyra nuk është larg. As çezma.
Ngrihesh ngadalë
i hedh një sy vetes
dhe fillon të zbulosh faqet
që ke ditë pa i parë.
Qesh me veten teksa
kujton një thënie latine.
“Nuk e bën filozofin mjekra.”
Kthen kokën nga dritarja dhe
mbyll sytë i verbuar nga drita.
Sakaq këmbët të çojnë drejt derës.

Ti e nis ditën bukur.
Fillon të shkruash
me gishtat që rendin mbi tastierë.
Harrohesh po,
edhe nëse je grua.
Qesh me veten edhe ti
teksa kujton një shprehje latine
“Më parë jeta, pastaj filozofia.”
Sakaq këmbët të çojnë drejt derës.