Në Tiranë,
U bënë ditë që kam ardhur,
Një kafe me ty, akoma se kam pirë,
E mbrëmjeve hapat
Se di si më çojnë në “Bulevard”.
Të rinj këtu takoheshim, ecnim, flisnim
Për jetën, botën, perendimin.
Plot pathos
E mban mend?! Si poetët përshkruajnë yjet.
E vajzat kalonin,
Mendt na mirrnin,
Biseda e humbiste fillin.
Këtu,
U njohe dhe ti me tët shoqe
Dhe unë me shpirt kam dashuruar dikur, po këtu,
“Bulevardit” i paska rënë ky tis qetësie,
Ku veç kujtimet, bëjnë zhurmë.
Sa shi ka rënë mbi të qysh atëherë
Plot ëndrra e ngjyra ka larë,
Shumë pyetje përgjigjet morën,
Shumë shpresa, tharrë.
Në Tiranë,
Ka ditë që kam ardhur.
Kafen me ty, akoma se kam pirë.
Kam frikë,
Se e di, do me pyesësh për tët bir.
“A e kam parë?!”
“Përse ka kohë që s’të ka marrë në telefon?!”
“Po të ëmës përse si përgjigjet?!”
“Çfarë ka, çfarë e mundon?!”
E unë që guxim kam me fjalën,
Që e kam dashur, përkëdhelur a pështyrë,
Me të kam lozur, a jam rrahur
E kam shkruar dhjetra poezi.
Pse e paskam kaq të vështirë…të të them ?!
“Po e kam parë,
Në një vend që quhet “Camden Town”
Atje ku ëndërronim të shkonim të dy,
Mbi trotuar, nën tendën e një biblioteke…rrinte shtrirë.
Ju afrova, u ula, e i fola,
Po s’më njohu…
S’ishte mirë.”
Në Tiranë,
Ka ditë që kam ardhur.
Kafen me ty, akoma se kam pirë..
ObserverKult
Lexo edhe:
“TI GRUA E HUAJ…QË TË NJIHJA ÇDO MILIMETËR DIKUR”, BUQETË ME POEZI NGA AMARILDO…