Amarildo Pregapuca: Unë vij nga një vend i vogël, zonjë…

Unë vij nga një vend i vogël, zonjë
me njerëz të thjeshtë si unë,
ku dimrit çel mimoza,
dhe emër vajze, ka një lumë.

Unë vij nga një vend i vogël, zonjë
më tradita të thjeshta njeriu,
mëngjesit më shokë ulesh për një kafe
e të dehur, nga rakia a kënga, të pret muzgu.

Unë vij nga një vend i vogël, zonjë
ku dhe bisedën më të thjeshtë, ndez pasioni,
ooo, e vajzat dinë të qeshin aq bukur
e labçe ia merr Joni.

Unë vij nga një vend i vogël, zonjë
ku ndryshe flet perëndia,
flet, më sytë dhe zërin e një nënë, zonjë
fjalë dashurie.

Unë vi nga një vend i vogël, zonjë
më njerëz të thjeshtë si unë,
që urrejnë më pasionin e një të çmenduri
dhe më pasionin e një të çmenduri, duan.

Ndaj më duhet patjetër të vete
dhe të shërohem nga e komplikuara,
unë jam një njeri i thjeshtë, zonjë.

ObserverKult

Lexo edhe:

AMARILDO PREGAPUCA: S’E DI SI MË KE DASHUR…