“Amber Alert” e autorit shqiptar Odise Plaku “trondit” skenën e teatrit “Viktoria” në Athinë

Në skenën kryesore të teatrit “Viktoria”, inskenohet vepra e një autori shqiptar. “Amber Alert”, shkruar nga dramaturgu Odise Plaku, u kushtohet viktimave të trafikuara për qëllime prostitucioni dhe shfrytëzimit seksual në mbarë botën.

Me interpretimin e aktores shumëdimensionale Georgia Zoi, me regji të Giota Koundourakis, falë punës së një stafi shumë profesional, u shfaq premiera e kësaj vepre, e cila solli emocione të fuqishme tek të gjithë ndjekësit e kësaj nate.

Gjatë shtatëdhjetë minutave aktorja Georgia Zoi arriti të përcillte mesazhet e fuqishme të kësaj vepre kundër plagës sociale të shfrytëzimit të vajzave në moshë fare të mitur për qëllime trafikimi.

Disa fjalë për shfaqjen

Në një botë makthi, një nënë, nënë simbol, ka vite që kërkon vajzën e saj. Një vajzë 14-vjeçare, që duket si një engjëll, e humbur prej kohësh.

Në një botë ku tregtia e mishit lulëzon dhe pushteti mbulon krimet masive të korrupsionit dhe epshit kanibalesk, nëna do të flasë, do të denoncojë. Nëse zemra e saj shpërthen, dhimbja do të mbytë të gjithë botën, sepse tani kjo grua e thjeshtë, e shtypur nga një mjedis patriarkal, shndërrohet në një figurë tragjike arketipe, që rebelohet kundër korrupsionit të pushtetit.

Në premierën e shfaqjes ishin të pranishëm shkrimtari Odise Plaku, vepra e të cilit vihet për herë të parë në Greqi, dhe ambasadorja e Shqipërisë, Luela Hajdaraga së bashku me stafin e saj.

Kjo shfaqje është ndjekur me shumë interes nga një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që jetojnë dhe punojnë në Greqi.

Vënia në skenë e monodramës “Amber Alert” është mundësuar nga kompania kulturore “Dionis Anigma” me mbështetjen e organizatës vullnetare jofitimprurëse “Buzëqeshja e Fëmijës” dhe të ambasadës së Shqipërisë./balkanweb

Videon mund ta shihni duke klikuar KËTU:

ObserverKult


odise plaku nevojë

Lexo edhe:

ODISE PLAKU: SI HERËT SHKOVE DASHURIA IME!

Poezi nga Odise Plaku

Si herët u lodhe me dashurinë tonë,
betimet i mori larg lumi i rrëmbyeshëm.
Me bërryla shtyj orët e ditës sime memece,
pa fjalë, pa zile telefoni, pa pyetjen “Si je?”.

Të kisha premtuar që zvarranik nëpër këmbë
për pak dashuri jo kurrë nuk do të isha në jetë.
Trupin tim të përdredhur në pluhurin e kohës,
asnjë këmbë nuk do të mund ta shkelte dot.

Jam mësuar edhe me braktisjet në jetën time,
por ama kurrizin samar nuk e bëra asnjëherë.
Zjarrin në zemër e mbajta të ndezur përherë,
në kraharor të mbështillja si bebe motake.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult