Anila Toto: Nëna

Nëna rri ulur në qoshe, në një kolltuk
kolltuku i urtë si çfarëdo orendi shtëpie.
Nuk ka asnjë fjalë, as zë, asnjë zhurmë
ka rënë veç një paqe si heshtje vetmie.

Dhe mendja e nënës nis e rreshton hallet
i afron ngadalë, ashtu, sipas mundësive.
Me duart që i dridhen rendit edhe mallet
vëllezërit dhe motrat, fëmijët e fëmijëve.

Një nënë që punon me shtiza ndër duar
lidh kujtimet sipas një rregulli file më file.
Aty-këtu buzëqesh pakës për ç’ka gëzuar,
pastaj çdo pikë loti, nën syze nëna fsheh.

I shkëlqen nga larg ai balli aq i praruar,
por sytë s’i ngre kurrë nga përqëndrimi.
Gjithë botën nëna sot ka për të kujtuar
në një rradhë sa më të drejtë meditimi.

U flet butësisht dhe duke u mërmëritur,
çdo gjë tashmë është në vendin e vet.
Të vdekurit, të gjallët, fëmijë e të rritur
dhe gjithçka që ajo përjetoi në këtë jetë.

Por, unë hyj e shkujdesur e thyej heshtjet
padashur, padashur i rrëzoj të gjitha raftet.
Ku nëna renditi me aq mund e përkujdesje
dashuritë nga më e vogla tek më e madhe.

ObserverKult

—————————————————————————-

LEXO EDHE:

ANILA TOTO: NË KËTË QYTET MUNGON TI

Në këtë qytet mungon ti.
Kam frikë të zgjohem me këtë fakt,
Më bezdisin kalimtarët
Të njohur e të largët.

Në këtë qytet mungon ti
Lulet kanë humbur lulëzimin,
Gjithçka mbulohet nga një tis
Reklame e zhgënjimi.

Pastaj ulemi të pijmë një kafe
Buzë detit në prag stuhie
Un’ të flas me kaq pasion e dhimbje
Sa thonë ‘tashmë është e çmendur
Ka humbur vetëdijen’.

Në këtë qytet mungon ti,
Unë vazhdoj të flas ende me vete.
(Ti kurrë nuk ringjallesh).
E bie një monotoni të zymtë
Një heshtje e pafalshme.

—————————————————————————–

LEXO EDHE:

ANILA TOTO: KUR TI NISNI FËMIJËT PËR NË SHKOLLË, RIKUJTOJUANI QË JANË TË VEÇANTË!