Anila Toto: Një ditë do të ikim nga kjo botë…

Poezi nga Anila Toto

Një ditë do të ikim edhe nga kjo botë
Pasi të kemi çliruar gjithë ç’mbajmë në shpirt
Gjysma e arsyeve që kemi luftuar është e kotë
Gjysma ishte thjesht një motiv.

Atëherë do të jemi mbushur plotësisht me rrudha
Por ndoshta do ta kemi çliruar tërësisht zemrën
Gjysma e dhimbjes ka qënë një shpresë për të fituar
Gjysma për të mos u ndjerë vetëm.

Do të përqafohemi ndoshta për herë të fundit
Atëherë do ta kemi çliruar edhe mendjen
Gjysma e lirisë për ëndrrën dhe trupin
Gjysma për t’u falur edhe të tjerëve…


LEXO EDHE: ANILA TOTO: KUR MENDOVA SE E HUMBA…

Pas disa fjalësh pa rëndësi
mendova dhe heshta
dëshpërimisht edhe gjatë.

Në fund të fundit
burrat… janë burra!
U duhet pak hapësirë edhe fat.

Kështu,
kur mendova se e humba, e
nuk më hynte në sy gjithë njerëzimi.

Në fund,
ai u kthye në një burrë të vetmuar
që pohonte se ishte përjetësisht imi…

*Titulli i origjinalit: “Në fund”