Anila Varfi: Kjo kohë ma shpif

Ma shpif kjo kohë!
Surretër që kanë mbathur të njëjtën buzëqeshje:
Plastike, hipokrite mbi buzë botoxi.

Ma shpif kjo kohë identitetesh të shpëlarë e fals.
Ma shpif kjo kohë,
Ku fjala teret në ajër si rreckë e tirepsur,
Dalë prej gojësh gjuhëfëlliqur.
Ma shpif kjo kohë,
Ku mirësinë e gjej të shushatur,
Humbur në shtigje dhish.

Ma shpif kjo kohë, ku dijen e kanë vjedhur e gjithfarsoj…
Çiçiti ia vesh vedit.

Ma shpif kohë, ku s’mundesh me jetu thjesht qetësisht,
Pa një pa dy do të shfaqet dikush
Kudo dhe kurdo në hapësirën tënde
E do të brejë bukën e paqes tënde.

Ma shpif kjo kohë,
Ku erërat e ligësisë e zilizë
Turfullojnë si plaka karrakatinë.
E kafshoj dhëmb për dhëmbë e sy më sy këtë kohë verem,
Me shpresën të shpëtoj ligësish.

ObserverKult


anila varfi

Lexo edhe:

ANILA VARFI: E DASHTUN JETË!

Përpara se t’ia behte kjo flamë si qen i tërbuar rrugaç, unë siç ndoshta të gjithë ne, nuk të thosha shpesh se të dua, jo se nuk të desha apo të dua, por se koha rendte aq shpejt, sa nuk gjeja, qoftë dhe një minutë për të ta thënë.
Tani që njerëzimi kafazin e trupit po e ruan nga pështyma e kësaj vdekjeje tinëzare, nënvetëdija ka filluar të më pyesë: “Hë, çdo të bësh sot?”
“Hiç, i them, thjesht jam ngujuar e lutem! Sytë më janë skuqur nga lotët e ftohtë, ndrydhur për dëshirat e ndalume, i përsërit vetes, se ardhka një ditë dhe ti braktis gjithçka e të duhet të jetosh veç në dy metra katrorë vend të dhomës tënde…”

E dashtun kohë, që përdhunshëm po më jep leksione braktisjeje, çdo prej meje?
Sot ëndrrat i kam shumë të thjeshta: veç diell, ajër, ujë!
Bota e ndali ritmin e në heshtje po ndreq kaosin e dëshirave të vetes, mos ndoshta erdhe të thuash moj mortje, se makutëria njerzore është gropa jonë?!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult