Anila Varfi: Në dashni

Flas me Ty dhe trishtimi i heshtur merr malet e grindet zgavrave.
Qesh me ty, e orkidet digjen n’ajri,
Aromash m’dehin pash më pash,
Grindem me Ty dhe forcat më mpaken,
Gjaku m’shteret e n’anemi shembem, plogshtohem.

Flakë i del detit e qiellit
purpurohet si në faj,
Kur Ty të kujtoj.

Të ëndërroj dhe erëra të kaltra të veshin atje…
Zbathur bredh dhomave t’shpirtit tim…
Heshtaz ia kemi lexuar mendjen njëri-tjetrit.

Të puth Ty dhe gishtat e erës pëlcasin erëmim jaseminësh,
Më magjepsin të gjithën.
Të prek Ty dhe pranvera ndër sytha,
Pasqyron n’pasion shendin e vet n’tinguj harpe,
Qiejt afrohen e Hëna mantel të kaltër i shtron dashurisë sonë.