Ankimohet tenderi i Bashkisë së Tiranës për Teatrin Kombëtar

Tenderi i Bashkisë së Tiranës për studim-projektim të ri Teatrit Kombëtar është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik duke kaluar nga një sagë në tjetrën.

Pas përplasjeve të vazhdueshme me shoqërinë civile për moslejimin e shembjes së Teatrit të vjetër duket se për Bashkinë janë shfaqur në horizont telashe të reja.

Një kompani private ka dorëzuar në datë 14 shtator ankesën për procedurën e shpallur nga Bashkia Tiranë në muajin korrik. Ende nuk është e qartë se cila është arsyeja e këtij ankimi por gjithçka pritet të zbardhet me vendimin e KPP-së.

Kompanitë pjesëmarrëse në procedura prokurimi kanë të drejtë sipas ligjit të ankimojnë kur mendojnë se janë përdorur kritere përjashtuese në procedura apo kur vlerësimi i bërë nga autoritetet kontraktore nuk ka qenë konform asaj çka specifikon ligji. Në rastin e parë kompanitë ankimimin mund ta bëjnë pranë autoritetit kontraktor dhe kur nga ky i fundit nuk marrin zgjidhje hallka e radhës është Komsioni i Prokurimit Publik.

Tenderi për studim-projektim të Teatrit

Bashkia e Tiranës u përzgjodh si institucioni që do të zhvillonte dhe ndiqte të gjitha procedurat e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Me një vendim të veçantë qeveria i kaloi atributet Bashkisë duke i dhënë edhe truallin që më herët ishte tek asetet e Ministrisë së Kulturës. Në korrik bashkia nisi procedurën ku kërkonte një kompani private që do të bënte studimin dhe projektimin.

Objekt i studimit dhe projektimit do të ishte ndërtimi i godinës së re të “Teatrit Kombëtar” propozohet për ndërtim në truallin ekzistues, sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të projektimit të objekteve të ngjashme.

“Në arkitekturën e godinës së teatrit duhet të pasqyrohet jo vetëm koncepti bazë i të projektuarit sipas standardeve por edhe kërkesat urbanistike- arkitektonike të vendit tonë si dhe arkitektura me materialet bashkëkohore. Arkitektura e jashtme e teatrit përcaktohet para së gjithash nga ndërtimi vëllimor i tij, në të cilën duhet të jetë pasqyruar përmbajtja e brendshme, struktura e godinës dhe rëndësia urbanistike. Sallat e mëdha të teatrit që përbëjnë bazën kompozicionale të godinës duhet të shprehen qartë në formën e tij të jashtme duke u bërë kështu elementi kryesor formulues i fasadës.

Ndërtimi logjik dhe i lirë i volumeve të godinës, përpjestimet e tyre dhe lidhja organike me sheshin e ndërtimit janë drejtimet kryesore sipas të cilave duhet të zhvillohet arkitektura e godinës së teatrit. Arkitektura duke plotësuar kërkesat funksionale duhet të plotësojë njëkohësisht edhe kërkesat estetike, prandaj zgjidhja e interierit të sallës së shfaqjeve si ambient i brëndshëm hapësinor duhet ti plotësojë të dyja këto kërkesa”, thuhet tek specifikimet teknike ku përfshihen edhe detaje të tjera.