Në 20-vjetorin e vdekjes, ekspozitë në përkujtim të Teodor Kekos (Foto)

teodor keko natën

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko (1958-2002) çeli sot një ekspozitë në përkujtim të kontributit të tij të vyer në fushën e letrave shqipe dhe të publicistikës.

Kjo ekspozitë sjell për publikun krijimtarinë e tij duke nisur nga botimi i tij i parë në revistën “Nëntori” (1980) dhe vëllimin e parë me poezi “Pas provimeve” botuar në vitin 1983, për të vijuar më tej me veprat: “Fjala fishkëllen” (1987); romani “Loja” (1990); “Zemra nuk është këmishë” (1990); “Lajmëtarja e vdekjeve” (1991); “Pretenca” (1994); “Made in Albania” (1998); “Keko: poezi” (2005); përmbledhje me tregime “Amaneti : tregimet e fundit” (2008); “Curriculum vitae: tregime të zgjedhura” (2008); “Kryqëzim: poezi të zgjedhura” (2008); “Si breshka në shpinë mbaj një varr: tregime, poezi, roman, dramë, shënime, vëzhgime, opinione, intervista…” (2012); “Shënimet e një gruaje” (2014).

Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe veprimtaria e tij si redaktor, por edhe si publicist, që vjen përmes artikujve në shtypin periodik të kohës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore.


Lexo edhe:

TEODOR KEKO: UNË TË KAM DASHUR GJITHMONË, GJITHMONË TË KAM KUJTUAR…

Tani e kishte zënë. Iu lëngëzuan sytë përsëri. Uli kokën e ia puthi me afsh duart Elios, u mori erë, i futi në gjoks, ia mbajti atje dhe e pyeti gati duke u qaravitur:
– Kur do të vijsh prapë?… E di… Edhe unë të dua…
U mërzita pak, se njeriu edhe mërzitet kur kujton budallallëqe, por që kur më telefonove kam qenë e lumtur, – dënesi, – unë të kam dashur gjithmonë, gjithmonë të kam kujtuar, po kështu erdhën punët… Andej s’jetoja dot më, por keq andej e plehëra këtej!… Do vish prapë, më thuaj, t’i paguaj unë këtë herë të gjitha, biletat, shpenzimet… Do kënaqemi… Do vish në verë?…
Po kërkohej sërish fjala. Tani ishte ajo që kërkonte një premtim dhe balada zgjohej në Gjermani këtë herë. Ishte rrotulluar mbrapsht gjithçka dhe Elio nuk po i duronte dot lutket e saj shpirtkëputëse. Ndihej vërtet i rraskapitur.
– Pse nuk kthehesh? – iu lut Elio. – Ti ke njerëz atje, pastaj nuk është më vendi si e ke lënë…
– Ç’do bëj unë atje? – pyeti përhumbshëm ajo dhe s’merrej vesh kujt iu drejtua, shiut apo atij, që ia kishte ngulur sytë buzëve të saj të thara tashmë. – Tani duhen shtyrë ditët, – psherëtiu ajo, – ky paska qenë fati ynë…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU

ObserverKult