Arbër Ahmetaj: Ish-të dashurave të mia të dashura

arbër ahmetaj

Jua harrova emrat
mbiemrat ndoshta i keni ndryshuar tani
jua harrova edhe ngjyrën e syve
të flokëve po se po 
ka bojëra tani dhe floktore kudo

Jua harrova adresat
numra telefoni s’kishit atë kohë
Facebook e facetime jo e jo
Mbanit përparëse shkolle e bishtaleca
fjongo, jaka e bluza të bardha
të brendëshme pambuku
e mbajtëse gjinjësh të thjeshta
Kishit erë të mirë vajzërishte
dhe skuqje faqesh
lule nën lëkurë
druajtje lastarësh që tremben 
nga pasqyrimi mbi ujë

Jua harrova nishanet,
dhe shenjat e akneve
ditët e ciklit
dhe ngjyrën e pushit
mbi kodrinën përvëluese.
Por mbaj mend veç shijen e buzëve
dhe rrezimin e kurmit tuaj
diellin, yjet, hënën e trupat qiellore 
që silleshin rreth shtratit tonë
frikën nga bebet
dhe atë të kthimit vonë

Ju tashmë jeni kalendar i dikujt tjetër
unë jam për ju veç një kujtim i fjetur

(nuk thash “i vdekur”)

Ju betohem
ju sjell shpesh ndërmend, 
ikni e vini si shkëndija në tru
përpiqem t’ju ndez, por shkimeni
si imazhet pas qelqeve flu!

Shkëputur nga libri : Poezi, RL BOOKS, Bruksel 2022

ObserverKult

Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA ARBËR AHMETAJ

AHMETAJ: FRIKA IME MË E MADHE, TA SHOH ATDHEUN TË GJUNJËZUAR PARA INJORANCËS DHE…