Poezi nga Arbër Selmani
Kur vdiq baba,
vdiq një pjesë e imja,
vdiq pak edhe nana e pak edhe motra me të
vdiqën këmishat e tij
vdiq rroga ime e fundit në xhepin e djathtë
vdiq ditë e bekuar,
vdiqën kërkimfaljet, shuplakat e forta, dëshirat që i pata
andrrat që s’i pata
vdiq pazari i mëngjesit, edhe krejt mëngjesi vdiq atë ditë.
Kur vdiq baba,
ka vdekë edhe një lis diku në malin e shenjtë,
ka vdekë një e mirë, një mirësi, një përrallë nuk u tregua më
ka vdekë trupi që jeta nuk i dha gjë prej gjëje
se nuk quhet jetë
kur çdo pesë vjet, fatkeqësia gjen paqen e saj mbi ty.
Kur vdiq baba,
vdiqa copë-copë në tepihun e banjos
u zvarrita deri te rubineti për ta larë fytyrën,
për ta parë vdekjen time,
për të harruar sa trupi po vdiste
po
tě
njëjtën
ditë.
Kur vdiq baba,
kush nuk u kfill më në shtëpinë time
vdiq zënka e fundit, vdiq një bursë studimi për Amerikë
vdiq edhe diploma e shkollës, që sot s’është as leckë
vdiqën burrat e dobët të kësaj bote
vdiqën gratë të cilave natyra u dha shkelma shpesh e më
shpesh
vdiq me babën edhe lumturia ime
vdiqën detet ku dikur futa trupin tim të pakohë
vdiqën fushat ku jam rritë i gëzuar
vdiq i dashuri im i harruar
vdiq gruaja ime që nuk do të ekzistojë kurrë.
Me vdekjen e babës ka vdekë një copë e imja e vjetër.
Me babën ka vdekur edhe e bukura
kompleti i librave të Asdrenit dhe Kapitali i Marksit.
Kur vdiq baba,
e ndjeva pickimin në shpirt dhe shtrëngimin e Zotit
i pashë para meje ata që nuk janë të bukur sa ai
se askush nuk është më i bukur se bukuria hyjnore e babës
se krejt patën jetën e mirë, po jo i imi babë
se shumica morrën përqafime kur ai derdhi lot
se fati ka shëtitur në qytet këmbëzbathur po babën tim nuk e
takoi dot.
Kur vdiq baba, zanat e bardha më janë kthyer në një gjarpër të
zi e të gjatë.
Kur vdiq baba,
krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë
morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend
i mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova.
Kur vdiq baba,
ka vdekur edhe një perëndi diku lart që u lodh së jetuari,
ka vdekur një Eros që ditët e mira i pati të porositura,
kanë vdekur shokët e tij, shoqet, kanë vdekur të afërmit që nuk
janë kurrë të tillë.
Kur vdiq baba,
u ula buzë lumit të lotëve të mi
dhe qava.
ObserverKult
Lexo edhe: