Oscar Milosz: Ikni… fillikat më lini…

Flini,-jo, ikni. Fillikat më lini. Ja hija.
Zërat tanë janë rrëzim zallesh në funde varresh.
Një temjan gjumi i mbulon moçalet.
U plaka me lojën e orëve mbi fytyrat tuaja.

Flini, ikni, vdisni, ju që ishit emrat
Efemerë të së njëjtës dhimbje që mbetet po ajo.
E jetova ditën tuaj, jam lodhur nga bëmat tuaja.
Zemra ime s’ka më jeh për tuajat “po” dhe jo”.

Këtej, më ndiqni! Kjo mbrëmje sa e vjetër!
Unë derën do ta mbyll kur ju të keni ikur.
Do të jem vetëm…Ikni, ikni, fletët e mia të thara,
Ikni me erën e madhe të harrimit të heshtur…

Merrni me vete dashurinë ose shpërfilljen time;
Ne do të vdesim si hija dhe lulet e zotat.
Urrejeni ftohtësinë time, ose qani dertin tim.
-Drejt vendeve të reja, drejt të rejave lamtumira!

………………………………………………………………….

Kini mëshirë për mua. Natë, Heshtje, Kujtim.

Zgjodhi dhe përktheu: Zimo Krutaj

*Titulli i origjinalit: “Lamtumirë në mbrëmje

Oscar Milosz

————————————————————————————–

LEXO EDHE:

Oscar Milosz: Sepse kam frikë, se kam frikë nga kthimi

-Dhe sidomos që e Nesërmja ku jam të mos e dijë-
Pyjet janë plot me kokrra të zeza, pyjet-
Zëri yt është si një tingull hëne në pusin e vjetër
Ku jehona, jehona e qershorit vjen të pijë.

Dhe që asnjë të mos thotë emrin tim atje poshtë, në ëndërr,
Kohërat, kohërat krejt janë përmbushur-
Si një dru i vogël që vuan kur ndjen limfën e parë
Është bardhësia jote në petka pa zhubër.

Dhe që rrënojat sërish prapa nesh të mbyllen,
Sepse kam frikë, se kam frikë nga kthimi.
Lulet e mëdha bardhoshe t’i ledhatojnë gjunjët e ëmbël
Dhe hija, hija është e zbehtë nga dashuria.

Dhe mos i thuaj ujit të pyllit kush jam unë;
Emri im, emri im është kaq i vdekur.
Sytë e tu kanë ngjyrën e shirave të rinj,
Të shirave të rinj mbi pellgun e fjetur.

Dhe mos i thuaj gjë erës së varrezës së moçme.
Ajo mund të më japë urdhër pas t’i shkoj.
Floknaja jote mban erë vere, hëne dhe toke.
Duhet të jetoj, të jetoj, veçse të jetoj…

Përktheu: Zimo Krutaj