Ardiana Shala Prishtina: Nji poezi pa-edukatë


Ata hajnë mut kundër grave
e mu më thojnë je pa-edukatë
kur ju kallxoj çka po hajnë.
Nji lexues i humbun më tha
edhe poezitë i paske krejt pa-edukatë.
E marr si kompliment, se tash e di
që asht njisoj si kur më thojnë
gru e frustrume
feministe e fëlliqtë
femën
lopë
e degjenerume
e pamoralshme
kurvë
mshele gojën.
Krejt kam me i meritue, krenarisht.

U msu ky popull patriarkal
me kingja të butë që i thithin dy nana.
Bile, e quen urtësi thithjen
e ngopjen e pameritume.
Un do të vazhdoj me qenë pa-edukatë
sa herë që dikush han mut kundër grave.
Jo për najsen, por jena tue folë
për shekuj e shekuj mutngrënje kundër grave.
Boll ma me Princesha Argjiro, e Rozafa
që burrat i shtyjnë greminave te poshtë
e murosin mureve përpjetë
historikisht, për me u ndi ma burra.
E me u rritë, e me u rritë, nderue
e përsërit, e përsërit, e forcue.

Deconstructing shit against women is my mission.
S’di qysh me e thanë ma shkurt e shqip.
Fundja, kam marrë shum edukim
gjurmëve të feministeve pa-edukatë, para meje
por edhe kryengritjeve shqiptare ndër robnime
sa me e dijtë që nuk mundesh
me e marrë me të mirë shtypësin
e me pritë me të pa si njeri.
Gjuhën e kam gati.
Ah, pa-edukatë, he çlirim.

ObserverKult

LEXO NGA E NJËJTA AUTORE:

Ardiana Shala Prishtina: Nji kah nji vriten kurvat