A më kujton, a të mungoj,
Sa do të doja që ta dija,
Sytë m’janë zbehur edhe pjekur,
Nga kripë e lotëve të mia.
Më nuk jam një zjarr ylli,
Por një e brishtë lule në borë,
E humbur jam në kreshta pylli,
E frikë kam dhe nga një fjollë.
E pyes veten, nëse ti,
Ke pyetur veten ndonjëherë,
Në isha për ty pak dashuri,
A vajzë stuhie me shi e erë.
E sytë i mbyll, s’dua të shoh,
Gjurmët kur ike e që le pas,
Me iluzione mashtrom’ moj borë,
Që të mbyll gojë e mos të flas.
Me iluzione mashtromë moj borë,
E mendjen mos ma sill tani,
Mos të kuptoj e mos të ndjej,
Këtë makth që quhet “dashuri”.
*Titulli i origjinalit “Në isha për ty pak dashuri”
ObserverKult
———————————————————
LEXO EDHE: ARJANA FETAHU GABA: DUA PRANË TË TË KEM…
Poezi nga Arjana Fetahu Gaba
Mos u kthe në erë vjeshte, s’mundem,
Mos ma kthe shpinën, sikur të mos jem,
Hajde, më sill rrezet e një dielli të lindur,
Unë dua pranë të të kem.
S’mund të rezistoj pa puthjen tënde, se ndryshe vyshkem,
Si një lule mbetur tharë, nën degën e thyer,
Ndaj mos u kthe, në një mal prej guri,
As mos qëndro, me shpinë të kthyer.
As si bora e bardhë në bjeshkë, jo mos u kthe,
Është e ftohtë, dhe shpesh të gënjen,
Më sill pranverën më herët, që unë të lind,
Një syth dashurie, që të rrëmben.
Mos u kthe i dashur, lum i rrëmbyer
Une jam përpara teje, sikur të jesh ti,
M’i prek duart, m’i puth sytë të humbas,
Në ëndrën e quajtur, dashuri.
Shih rrugën e shtruar me yje, ndiqe me sy,
E ardhmja, valë lumturie që endet gjithandej,
Unë dhe ti në një altar dashurie,
Si dy ëngjëj, që puthen nëpër qiej.
*Titulli i origjinalit: “MOS U KTHE NE ERË VJESHTE”
ObserverKult