Georgios Vizyinos: Mbi varrin e babait

Zgjohu baba! se po agon,
qielli nis e skuqet,
mbarë toka sterrë nis flakëron.
Çoju dhe ti tek zbardhëllon, e të dëgjojmë gushkuqët.

Tok me mamanë në këtë orë
më vinit ju tek dhoma,
më flisje m’ atë zë gazmor.
E binte zilja si këmborë. Po ti si flë akoma?

Çfarë ëndrre po shikon tani
në errësirë të ndritur.
Fjete, kur unë isha kërthi,
e pa kuptuar qysh e si, shiko sa jam, i rritur!

Zgjohu e shih, e rrudhur, plakë,
e gjora nënë e mjerë!
dhe gjyshe e shkretë ng’ ai merak,
u tret, u shua e u mpak dhe iku… për ngaherë!

Baba, tregoma atë fshat
të t’ vdekurve nën tokë
e do të nisem një mesnatë,
dy lule për atë të ngratë, të çoj t’ja vë mbi kokë!

Më thonë se qënka natë e zezë,
skëterrë, pis, errësirë,
por unë qiririn do ti ndez,
që të ndriçojë porsi mëngjez, tek gjyshja ime e mirë!

Mban mend? Më puthe ti mjekrosh,
një ditë duke lodruar
më the – sa vite do kalosh,
të rritesh krahë, të fluturosh, të bëhesh burrë i shquar.

Ja pra babush! U rrita, trim!
Shikomë, oh sa do doja,
u bëra burrë, porse jetim!!
Më thanë një ditë me psherëtimë, rrugës kur po kaloja.
-Jetimi i gjorë, ja tek po shkon!
-O Zot, si ngjau hataja!
-Tre vjeç e la i ziu gjiton!
-Ndaj ngjan si zog që diç kërkon?!
Eh, ta gëzojë mamaja!

Më thuaj babë, vallë në agim,
tym’ i livanit tonë,
që ndez mamaja në vajtim,
aromë e tij a të mbërrin? Të ngroh, të ngushëllon?

E darkave kur vi me vrap
të ndez kandilën, vallë
e ndjen që është i imi çap?
Çohu baba! dhe eja prapë, të pres gjithmonë me mall!

Kur më thërrisje që të fle
në prehër t’adhuruar.
-Pa eja shpejt se po të le.-
Unë fluturoja gjer në re, tek ti për t’u qetuar.

Tani baba, ndën atë tokë
të hidhur e të huaj,
në kthinëzën e ftohtë, ke shokë?…
natën e gjatë e ditën tok, a ngrohesh dot?… më thuaj.

A do të të përgjigjem vetë?
Askënd, ditë apo natë!
Por unë do vi një çast të shkretë,
në gjirin tënd të flë përjetë, të ndihesh ngrohtë, im atë.

Shqipëruar nga Arqile Garo

LEXO EDHE: Sergej Esenin: Më thuaj, jetën vallë si e kalon…