Arjola Zadrima: Mos m’thuej lamtumirë, por shihena…

arjola zadrima:

Poezi nga Arjola Zadrima

Mos më thuej “lamtumirë”
veç, “shihena”
sepse disa zemra janë destinue
me pritë
një tjetër muej,
një tjetër vit
një tjetër dhimbë…

Veç kur vjen kam mësue me lindë.

ObserverKult

Lexo edhe:

ARJOLA ZADRIMA: GRAVE U THONË “MOS” E BURRAVE ”U LUMTË”!

Kam msue se jeta asht një udhëkryq
ku asnjiherë nuk i rashë kahut të duhun.
Pashë njerëzit me synin e kllounit
dhe u qesha fort në ftyrë
ma fort në pasqyrë.

Kam msue se meshkujt janë qenie
të zakonshme, një përdorimsh,
sidomos kur ditën tjetër picirrojnë sytë
me miken tande të vjetër
e ti prapë qesh në pasqyrë.

Kam msue se koha asht e shenjtë
veç kur e sheh përmes syve të fmijve.
Miket më braktisën
sapo u zgjova poete,
ferri ku jetoj i ngjan një parajse të vjedhun.
Burri me çadër nuk më përket,
ai me mjekër luen rolin e padukshmit
dhe hiqet mret, e një mretnie kodoshësh.
Në ket’ botë grave u thonë “mos”
E burrave ” u lumtë”.

Mue më rrahin tamthat , kurgja nuk mundem me ndryshu,
as ato femnat “liberale”
ziliqare për të njëllojtat.
Mendja jeme i përket një kaosi
një grumbulli të madh mendimesh të paftillueme.
Ka ditë ku tumori kthehet në timonin e jetës,
e më përplas mbas malit ma të naltë.
Dikush më bezdis në vesh,
kujton se “të due” asht fjalë e amël për nji grue të dalun mendsh.

Kam fillu me besu se andrrat dalin
nuk më hiqet epshi natën.
Një i çmendun mendon se martesa u duhet të vejave
për me kenë të lumtuna.
Gjithfaresoj ftyrash , me tana ngjyrat
ma neverisin ket’ të Dielë
ku ndër buzë më rrin pak kujtesë
sa me harrue që ke vdekë…

Ndoshta s’kam me të ngjallë ma
veç kam me ti ndez qirat
sa të kem jetë
për pak dritë. Veç më prit.

ObserverKult