Arjola Zadrima: Nji natë

Arjola Zadrima

Nji natë
duhet me m’dashtë krejt,
e mbasi t’më kesh dashtë
ngjitmu për qafë
aq sa gjithçka t’mundesh me dihatë
t’jetë parfumi jem,
ngjeshmi qukat për gushë,
heshtun ma ndij gjoksin
tuj m’plasë.
M’len buzët me t’ndukë
e mi paqo rrahjet n’mujsh
n’mos paça vdekë
prej dashunisë që s’thashë.

A e kupton tash
veç nji natë duhet me m’shpëtue
prej kësaj andërr
që m’ka pushtue
sa as me frymë s’po mushem ma
qysh se t’du.

ObserverKult

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

ARJOLA ZADRIMA: NA ISHTE NJË VEND KU HANIN KRYET E NJENI-TJETRIT…

S’mundem me shkrue në këtë gjendje,
dita shumë e shkurtë
për telashet e një gruaje,
andrra shumë e madhe.
Qyteti një hinkë
që derdh mbi Bunë
edhe komeditë komerciale të një shteti
në grahmat e tij.
Lajme vijnë nga krejt anët
gjermanët, italianët, amerikanët
anglezët,
veç shqiptarët s’duen me ia ditë
për vedi.
Një burrë kujtoi se ranë kufijtë
dhe bashkë me gishtin
donte seksin.
Njerëzit heshtin,
rroga shtyn deri më datë 15,
mandej shtyhena vetë
tuj vjedhë njeni- tjetrin.
Veç qeveria nuk i ka fajet
pse komunizmin e kena shpirt e atdhe.
Na ngjajmë me ata
por për ata, jena gjithmonë, tjerët ne.
Fëmijët mbyllën shkollën
shpenzime ma pak,
pensionistët u rrejtën prapë
me dy kafe te klubi i lagjes
nga shtesa e pensionit.
Unë i bi botës me mend rreth e qark
ku vallë mund të jetë destinacioni
Nuk ndij ma asnjë lajm,
televizori ásht edhe ky një armë,
ose opium për ditë ma pak.
Ah, prapë do këtë re nesër,
por jo shi,
ah botë e pashpirt sa më ke lodhë.
Ah, sikur të isha një injorante ma shumë,
apo veç fëmijë
për një çast…
Nuk mundem me shkrue në këtë gjendje,
më duket sikur po u kallzoj
një përrallë që e dini përmendsh.
Na ishte njëherë një…

Shkrimin e plotë e gjeni KËTU.

ObserverKult