Poezia “Ai ka mbetë diku” nga Arjola Zadrima
Ai ka mbetë diku
mes luftës e paqes,
brenda meje luhet një lojë
e pangjashme me mue.
Dikush më pëshpërit amël,
ndokush mundohet me më turbullue,
dikush tjetër më trazon gjumin,
ndërsa ajo si në zgrip
më thotë, atë ushtarin e du.
Dikur kam rrotullu universin në kahun tem,
tash rri ,
çka du e di,
por bota asht diçka tjetër i dashtun,
as unë, as ti nuk kemi me ja gjetë
fillimin as fundin dashnisë.
ObserverKult
Lexo edhe:
Nga Arjola Zadrima
Mu kujtu im shoq, sonte.
Po kthehesha pak ma parë , në kamë. Ma shumë tuj shiju ecjen, freskinë e mramjes, rrugicën e boshatisun. Gjendesha e zhytun në habitatin tem.
Mbas do minutash ndjeva hapa mbas vetes. Ajo ndjesia e sikletit sikur shtohej, por mu kujtu Franci. Kishte net kur kthenim vonë , dhe po kështu ndodhej ndokush mbas nesh. Unë kisha frikë aso kohe, ndërsa ai mundohej me m’qetësu.
-Mos e kthe kryt, thoshte, asht thjesht një njeri si ne por mundet me u transformu në diçka tjetër kur e kupton që ke frikë.
Eca e qetë, drejt dhe me të njëjtin hap. Ai disi u afru dhe kur më parakaloi pak , ktheu kryet. Më pa më habi, por mori mbrapsht një shikim mospërfillës. Isha edhe lodhun.
Iku.
Im bir më telefonoi, e ndjeja që më qortonte, po kthehesh vetëm, nëpër rrugica, po pse s’më the…
-Mamë moj gru, po të ndodhë ndonjë gja…
Qeshja me të. E mbylli dikur telefonin.
Ndjeva sërisht hapa mbas meje. Gjithsesi në mend më sillej një pyetje, pse a ka gja që nuk më ka ndodhë në këtë jetë?
Eca drejt shtëpisë ashtu kryenaltë por hijerandë.
-Mos e kthe kryet Jolë, zakonisht njerëzit kanë frikë nga gratë e forta!
Përveç se me poezi, përkthime dhe me emisionin e saj “Pena e Shkodrës”, Arjola Zadrima shpesh sjell për lexuesit edhe rrëfime të shkurtëra mbushun urti jetësore.