Arlind Farizi: Sikur të mundja do i shtoja gigat e dashurisë ndaj njerëzve!

Arlind Farizi - Pyetësori i Prustit

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Arlind Farizi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Një parajsë me fëmijë, dashuri dhe libra.

Cila është frika juaj më e madhe?

Të qenit njeri pa frikëra.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Daja, daja nuk është ai burri i shtëpisë së nënës që ka kultivuar mbrojtjen e motrës e të gjithçkaje që ajo e ka të shenjtë e të shtrenjtë. Daja është miku, është ai i riu që e ke vëzhguar më gjatë si vishej, si krihej, si e mbante briskun dhe që doje të ishe ai kur të rriteshe, që doje të të rrëfente historira kur të plakej. Dajo, sa herë kam dashur të të tregoj dashurinë time. Sa herë kam provuar të të them je më shumë se një dajë. Se ti i dije më mirë se çdokush gabimet e mia, se ti dije butësisht të korrigjoje nipin tënd. Se ti ishe gati të shtije pushkë për mua…

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Prometheun.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Autoironia.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Mungesa e sensit te humorit, talljen në publik, keqpërdorimin e humanizmit.

Në cilat gjëra e teproni?

Verën e kuqe në Shend e Verë, fundjavës.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Përgënjeshtrimi.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Ai që më ka bërë të më intervistojnë si të rëndësishëm.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

T’du thënë po aq ngutshëm.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Jam penduar për shumë gjëra që si kam bërë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Jeta, jeta me gjithë çka i kam instalua në të. Universiteti ai i vendpunës dhe i jetës!

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Spleen…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Do i shtoja gigat e dashurisë ndaj njerëzve!

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Një tregim, qoftë i vetëm por i mirë!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Kohën, do ndryshoja kohën dhe hapësirën. Kronotoposin pra!

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Do zgjidhja të isha poet.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Dashuria dhe telefoni ngritur në shenjë ndihmesë për këdo, kurdo!

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Një mendje pa libra dhe universitete pa studentë.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në një Shqipëri më të madhe se toka e saj, në Shqipërinë me shqiptarë që nuk shfryjnë keq për njëri-tjetrin.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Fjala, besa!

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Burrërinë.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Fisnikërinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Të gjithë ata që më kanë bërë mua profesor të letërsisë dhe shkrimtar e poet.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Të sjellë në jetë në një botë pa heronj dhe me njerëz në kaos, heronjtë e mi janë fëmijët e mi.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Pikturën. Do doja të pikturoja edhe me ngjyra përpos fjalëve.

Si do të dëshironit të vdisnit?

I plakur dhe afër Ledrit dhe Gresës!

Cila është motoja juaj?

Në mundsh të falësh, falë!, falë!, aq sa mendon se s’je i fyer.

Duaj aq sa mendon se duhet të duhet, në miqësi ruaje një dozë rezervë dashurie, mund të pendohesh se dikë e ke dashur shumë, se për dikë ke bërë shumë, se dikë e bërë kryefjalë të çdo bisede. Në mundsh miqësitë e humbura ti mendosh se i ke humbur si një lojë singël në bastore dhe ti fitosh ato në momente mbarimi ndeshjeje, do jesh i gëzuar, do jesh i lumtur, një miqësi e humbur ka vlerën më të madhe se një miqësi asnjëherë e humbur, e thjeshtë, mesatare, miqësinë e mirë e bënë e jashtëzakonshmja. Në mundsh afro polet ndarëse miqësore rreth një ekuator besimi të ndërsjellës sepse ”jeta është e shkurtër, mos e shkurto atë me ankime, shokët janë të pakët, mos i pakëso me vërejtje, armiqtë janë të shumtë, andaj mos i shto me sjellje të keqe!

ObserverKult

Lexo edhe:

ALBERT VATAJ: MË MJAFTOJNË PAK GJËRA PËR TË QENË I LUMTUR…