Nga Artan Fuga
Shumë e komentojnë Big Brotherin në tv. Unë për vete nuk e shoh sepse e njoh mirë modelin dhe formatin e tij në planin filozofiko-sociologjiko-psikologjik. Këta muaj më shumë shoh Al Pazar, kënaqem, por edhe e studioj!
Ca e shajnë Big Brotherin, ca e lëvdojnë, ca protestojnë, ca rrinë me ethe te ekrani, ca e promovojnë! Të gjitha bashkë pa dallim i japin edhe më shumë energji!
Veç kur shajnë popullin se është budalla, i molepsur, dele meqë pasionohet pas atij emisioni, kur nxehen me protestuesit që artificialisht vijnë te Big Brotheri, , etj., këtë nuk e pranoj!
Mos shani popullin o budallenj të mirë!
Duhet studiuar spektatori, marrëdhenia e ekranit me audiencat, mesazhi i nëndheshëm që jep emisioni pa u gënjyer nga gjykime morale, jo ky kot, jo ato skena kot, jo budallalliqe, etj.
Pse audienca tërhiqet? Minimumi: Sepse gjen aty pjesë njeriu që në familje, shoqëri, marrëdhënie intime, etj i fshihen sikur nuk ekzistojnë! Është një revoltë ndaj mediokritetit dhe hipokrizisë të shoqërisë. Është një ajër që vjen nga një çarë dritareje e WC-së kur njeriu ka nevojë për fllad edhe kur bëhet fjalë për skandal, për të papritura, për ankth edhe të kotë, kur jashtë tv ka vetëm monotoni dhe nuk e pyesin për asgjë. Kur betejat jashtë kanë mbaruar së dhëni shpresë edhe njeriu ka nevojë për beteja virtuale.
Mos kujtoni se është më mirë Kuvendi i Shqipërisë nga Big Brotheri. Të njëjtat loja artificiale, të njëjta ndeshje artificiale, të njëjtat prapaskena që në fakt vëzhgohen nga Vëllai i Madh.
Big Brotheri ashtu sikurse është, është një çelës kopil për të kuptuar shoqërinë. Kjo është shoqëria. Prandaj kur audienca e gjerë e sheh, mos e shani, se ndryshe nuk keni kuptuar gjë, por shiheni si pjesë e revoltës që ajo shpreh ndaj një shoqërie hipokrite, të fjetur, të rëndomtë, kur nuk ndodh asgjë.
Populli ka nevojë për drama qoftë edhe si lojë aktoriale me aktorë të dështuar! Teatri a u prish? Ku ta shohë dramën! Ku janë romanet dramatike, të dramës së tij? Ku janë tragjeditë qoftë edhe vetëm të shkruajtura në letër?
Shikoni se çfarë urie ka!!! Kur nuk ka pulën çfarë të hajë? Gjelin e detit?
E keqja dhe e shëmtuara tërheqin më shumë se çdo gjë kur gjithçka është mediokre dhe e fallcët!
Tërheqja estetike e së shëmtuarës është fantastike, katarsike! Mua më pëlqen e shëmtuara në art, letërsi, media! Vdes!
Ndryshe më thoni t’ju rekomandoj libra për njohuri nga epistemologjia e televizionit!
*Titulli i origjinalit: “Big Brother si çelës kopil”
ObserverKult
Lexo edhe:
LEKA BUNGO: Ç’JANË KËTO POCAQI ME EMRIN BIG BROTHER E PËRPUTHEN, JENI NË TEREZI A JO O POPULL?