Ka disa kohë gazetarë dhe kolegë më kanë rasti t’i dëgjoj për një hall, a virus, a mikrob, gjithsesi një flamë e keqe, që e ka ndikuar punën shkencore të studentëve në përgatitjen e diplomave në nivel bachelori dhe masteri:
Thuhet se studentë, pra diplomantë të ndryshëm paraqesin si punime diplomash tekste ose punë të përgatitura nga të tjerë. Ose të blera me para, ose të marra nga diplomantë të viteve të tjera.
Pra, me thonë se ka plasur vjedhja!
Nuk dëshiroj t’i hyj me themel kësaj çështjeje këtu sepse do të kërkonte kohë të gjatë.
Por, ve re se një mentalitet “hajduti” sistemi ynë shkollor parauniversitar e edukon për të keqen e studentëve dhe tonën si mësues.
Bëj shaka në një orë me detyra në klasë t’i kthesh pak kurrizin studentëve. Krahas studentëve seriozë, do të gjesh prej tyre që nisin të shohin telefonat, të kontrollojnë fletoret dhe të shqetësojnë shokët e shoqet e tyre për t’u vjedhur diçka dhe e hedhur në kopjen e tyre për të marrë një notë të pamerituar.
Sigurisht ka programe inteligjence artificiale që e konstatojnë plagjiaturën. Por, nuk është zgjidhja teknike që e mundëson realizimin e një shkolle ku puna e pavarur shkencore e studentit është origjinale.
Inteligjenca artificiale këtu ka shumë dobësi dhe mangësi. Ka fuqi shumë të kufizuar.
Aq më tepër që në web lexojmë se lirshëm paska plasur edhe tregtia ose biznesi me lekë, i deklaruar hapur, për përgatitje diplomash nga agjenci të specializuara!
Shitet hajdutëri, dhe institucionet që duhet të merren me këtë gjë, heshtin. Mos duan të thonë se janë të implikuara në këtë veprimtari keqbërëse?!
Megjithatë përgjegjësinë për këtë “vjedhje” në formë plagjiature që ndodh dhe që e shpërvjel krejtësisht logjikën e diplomimit në arsimin e lartë publik dhe privat e kanë vetëm pedagogët dhe institucionet e arsimit të lartë.
Askush tjetër.
Ka një sërë masash të integruara që mund të merren për ta fshirë këtë turp të madh që infekton si kolerë arsimin e lartë në Shqipëri.
E para. Duhet evituar që një temë që është dhënë në rang vendi si punë diplome të jepet përsëri. Ose në mënyrë të përafërt të ripropozohet.
Por, kjo kërkon që në çdo departament ose fakultet të shpallet dhe të bëhet e konsultueshme lista e temave të diplomave vit pas viti. Lista kombëtare e diplomave të mbrojtura.
E dyta. Temat e diplomave nuk mund të jenë të gjera dhe thjesht teorike, apo vetëm me kalime nga teksti në tekst.
Ka nevojë që tema të jetë e para shumë e hollë, shumë e kufizuar në semantikën e saj, dhe e dyta shumë e kontekstualizuar.
Pra shumë konkrete. Mbi të gjitha ajo duhet të sjellë gjetje të reja, sado minore, në përfundimet e saj. Përndryshe duhet quajtur e pavlefshme.
E treta. Ka nevojë që baza empirike e punimit të diplomës të jetë shumë e kërkuar, dhe me këmbëngulje.
Nëse është punë mbi tekste të kërkohen të gjitha skedat që kanë vjelur materialin dokumentar. Nëse është temë empirike, të kërkohen të gjitha testet e bëra, eksperimentet,aplikimet e realizuara, intervistat e para dhe të regjistruara me media audiovizive.
Pra gjithçka që në kërkimin shkencor provon punën e pavarur individuale.
Pra duhen kërkuar të gjitha bazat e të dhënave dhe jo thjesht të kënaqet me disa kurba a tabela që vendosen aty këtu në tekste.
E katërta. Duhet vendosur në juri personi i kontaktit që ndjek punën e studentit në terren, një specialist, inxhinjeri, profesionist i terrenit ku ka punuar diplomanti.
Vetëm kështu juritë dhe komisionet do të heqin shaminë që u mbulon sytë për të qenë të sigurt.
Kjo në mënyrë që të dhënat që raportohen në diplomë kanë kuptim dhe janë autentike.
E pesta. Duhet të zgjerohet ajo përvojë e pakët, si pika uji, ku diplomantët të kenë seanca kërkimi shkencor si lëndë të veçanta ku gjetjet e tyre, metoda e tyre, të testohet nga pedagogu të paktën përgjatë një semestri. Të vlerësohet me notë.
Nëse zbatohen këto masa, nuk ka gjysh, xhaxha, hallë, apo agjenci që shet diploma të vjedhura që mund të ketë mundësi të paraqesi një punë diplome fallco me të cilën të diplomohet një student që përfundon studimet universitare.
Në të kundërt, jemi ne të gjithë, institucionet përkatëse, që mbajmë në këmbë këtë sistem vjedhjeje.
Dhe e përdhosim edhe punën e studentëve seriozë, me shembuj të neveritshëm!
ObserverKult
Lexo edhe:
ARTAN FUGA SHKRUAN PËR TË ATIN E NDJERË: NGA LART AI MË SFIDON SHUMË EDHE SOT…
Nga Artan Fuga
Prindërit janë të dashur për të gjithë ne. Për qenien njerëzore, edhe kur janë ndarë nga jeta.
Unë e kam parametrin e parë për të gjykuar dikë.
Sa është i përkushtuar për të kujtuar dhe respektuar prindërit e tij, të parët e tij, krahinën e tij.
Pastaj qytetin, lagjen e tij, miqtë e tij të fëmijërisë, mësuesit e tij. Pra dashuritë e para, edhe kur ata nuk jetojnë më!
Aty bëhet njeriu – njeri!
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult