Artan Gj. Hasani: Grave që akoma bien në dashuri me mua

artan gjysel hasani

nganjëherë gratë duke më parë në sy
ngatërrojnë hapat
harrojnë
pengohen në vargjet e mi
hutohen
turbullohen
rrëzohen
dhe pakuptuar
bien

bien në dashuri me mua…

por unë jam gremina
zgavra bosh në gjoksin tim
ku dëshirat në litarë pritjesh varen
humnera që me dritë duhet ta mbushin
në muzghije pa rënë errësira
burg a dashuri njësoj qenka
e kupton veç kur bie…

ti bie dhe nuk di më asgjë….
gishtin drejton nga unë
më gjej, thua, më gjej
dhe unë të kërkoj brenda meje
dhe humbas kokë e këmbë
por gjithmonë vjen një tjetër
e më gjen brenda teje…

vdekja është i vetmi gjumë
që ëndrrën nuk ia prish dot askush
por ai që dremit nuk di se dashuria është
punë e mbrapshtë eruditësh të rremë
se kur dritë je ti unë bëhem hije
dritëhije e frikshme që vetveten mbart
si eremiti zërin e mendjes në shpellë
burg a dashuri njësoj qënka
e kupton veç kur bie…

ObserverKult


artan gjysel hasani

Lexo edhe:

ARTAN GJ. HASANI: TI E PANJOHUR QË ME ZJARR MË SHKRUAN…

…se gjithsesi duhet të ketë një mënyrë
që unë dhe ti të mbysim botën
në një puthje, mbase edhe në dy,
po kur gjinjtë e tu kokëfortë
të humbasin krenarinë në gishtërinjtë e mi
si do t’ia bëjmë pastaj?

gjethet cila dorë do t’i shfletojë?
kush do t’i shkruajë vargjet?

se shkëmbi është shkëputur nga mali
rrokullisur përplasur thërmuar
një gur i vogël ka mbetur në fund
me mungesën e lartësisë i mësuar
tespije për kujtimet e ndokujt…

por ti mos mendo keq për mua
pse monopatet m’i ka mbuluar pluhuri
kam fituar betejat e të tjerëve
kam humbur luftërat e mia
në tempullin e Kohës i kam dorëzuar armët
dhe vendi i gabuar është bërë i duhuri…

unë nuk besoj më te zjarri dhe flaka,
veç te puhiza që le pas jehona
bota çdo ditë mbytet në miliona puthje
e një nga ato
padashje
mund të jetë e jona

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult