Artan Gjyzel Hasani: Edhe sa do të jetojmë vallë ne të dy?

Poezi nga Artan Gjyzel Hasani


…koha për t’u harruar, e dashur,
na ka mbetur pak
edhe sa do të jetojmë vallë ne të dy?
e shkuara jonë tashmë ka shkuar
nuk ka ku të shkojë më
dhe është përgjithnjë aty
e mbarsur me të gjitha të nesërmet që besuam
por nuk e dinim
të nesërmet janë gurët kilometrikë
në xhadenë ku e shkuara shëtit çdo ditë pa u aksidentuar
harruam që e nesërmja është e ardhme veç për një ditë, zemër,
e pamjaftueshme si koha jonë për t’u harruar…

ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: ARTAN GJYZEL HASANI

Artan Gjyzel Hasani

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Unë nuk besoj te lumturia, aq më pak te përkryerja e saj. Në një arsyetim ideal, lumturia e përkryer do të ishte ajo gjëndje ku njerëzit i japin mundësi njëri tjetrit të jenë vetvetja pa asnjë kusht.

Cila është frika juaj më e madhe?
Lartësitë, por jo fluturimet.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Njeriun që dua.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Asnjëri.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Gjykimi i vetes.
 
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mosmirënjohja.

Në cilat gjëra e teproni?
Mirëbesimi.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Dashuria.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga e panjohur, pak rëndësi ka mjeti, mjafton që ajo rrugë të kalojë nga shpirti.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Dreqi ta hajë…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Kur kam zhgënjyer njerëz që më kanë dashur shumë, sidomos tim atë…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Jeta, përderisa akoma nuk e kam braktisur.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Poetike dhe anormalisht e shëndetshme.

Pyetësorin e plotë mund ta gjeni KËTU