Nga Artan Fuga
Ikën ata që shpallën pavarësinë, madje iku edhe Haxhi Qamili.
Iku Selam Musai, vate koha edhe për Themistoklin.
Ikën ata që kishin bërë studimet në Firence, Romë dhe Vjenë, dërguar nga Lartmadhëria Zogu i Parë, i vetëbërë mbret shqiptar.
Ikën edhe ata që më pas i bënë studimet në Moskë, Kiev dhe Leningrad, mbeten ata që diplomohen me letra pa vlerë njomur me ujë Lane.
Madje ikën edhe ata që studiuan në Kinë, Vietnam dhe Kore.
Gjithçka në tru ka zënë skorje.
Mall rrethinash Elbasani.
Prodhim shkretëtire e Gobit, me etiketë anglosaksone.
Ose edhe ca të tjerë dru me pre!
Ikën gjeneralët, mbeten kapterët.
Ikën dallëndyshet, lejlekët dhe arinjtë nga malet.
Ikën traktoristët, ikën kombajnerët!
Madje ikën edhe shoferët të skodave Albania, kontrabandistët,
Mbeten analistët.
Ikën ata që dinin latinisht.
Ikën dhe osmanologët.
Ikën ata të greqishtes së lashtë, ikën përkthyesit e kinezçes.
Ikën për bela edhe ata që dinin rusisht.
Nuk ka më as të burgosur për të përkthyer veprat e mëdha të artit botëror.
Tani mashtruesit përkthejnë rrëmbimthi me Google Translator.
Ikën ata që hekurudha dinin të ndërtonin.
Ikën edhe ata që operonin.
Ikën ata që mbi supe dinin të mbanin pesëdhjetë vite burg.
Ikën meshtarët ilegalë dhe hoxhallarët që agjëronin fshehur.
Ikën dhe besimtarët, mbeten ne nga vdekja frikur.
Ikën dashnorët e serenatave, ikën vajzat që kishin frikë mamatë, ikën gratë që u ndruheshin burrave dhe burrat që nuk kishin frikë nga gratë.
Mbeten T-shirt-et uniseks.
Ikën edhe virgjëreshat bashkë me burrneshat.
Mbeti preshi.
Dhe kastraveci i rritur në furgone me hormone.
Iku dhe Bulevardi i Korçës, mbeten kërnackat korçare, me kullën idiote.
Iku velenca prej leshi.
Iku edhe guna e grisur mbi tela.
Mbetem ne që tërë ditën në verë themi: uuu… sa vapë, ne llotaxhinjtë, që në dimër ankohemi nga të ftohtit, ne që ruajmë votat që kemi vjedhur, ne hajdutët që bërtasim “Kapeni hajdutin!”
Mbeten edhe pulat që t’i vjedhim ne hajdutët e pulave.
Mbetem ne që ikim nga sytë këmbët dhe bërtasim: “Shqipëri të kam lënë pendët!” Mbetem ne të ikurit që nuk ikim dot!
Dhe nga që nuk ikim dot bërtasim: “Kam vendosur të jetoj këtu!”
Mbetem ne lexuesit e pornove prej të sëmurësh seksualë në gazeta.
Mbetem ne rrenacakët që nuk e shohim hundët e pinokut te ata që na gënjejnë.
Mbeten edhe qentë e bashkive. Me vathë në vesh!
Dhe ne që na kafshojnë qentë! Si edhe karvani që leh kur sheh se qentë shkojnë përpara!
ObserverKult
Lexo edhe: