(Kushtuar Ajolës)
Herën e parë që të pashë isha si ai që sapo ka dalë nga burgu.
Gjithçka më mahniste dhe plagoste njëherësh.
Ajri kish peshën e gjymtë të së dielës
Dhe nje mot plot dredhi na shpështillej ndër këmbë.
I parruar isha. I zhveshur nga dhuntia e të qenit brenda trupit tënd.
Kështu isha atë ditë. Ndaj edhe të thashë
“Sapo kam dalë nga burgu”
Nuk di a më besove apo jo, por qeshe.
“Një jetë është më shumë se dy çaste” u mundove të më ngushëllosh.
“Mbylli sytë” -më urdhërove
Dhe një lëmsh drite nga duart e tua ma përshkoi parzmin.
“Tashmë je i burgosuri im” këtë the pasi më puthe.
Atë ditë bëmë gjithçka që mund të bëjnë dy bij dashurie:
Ndamë një pako biskota, një shëtitje, një heshtje.
Në trotuarin matanë,
Një oficer policie thithte cigaren.
Me po atë padurim këqyrte orën e dorës…
ObserverKult
Lexo edhe:
PYETËSORI I PRUSTIT/ ARTI LUSHI: PËRPIQEM TË NXJERR MË TË MIRËN TE ÇDOKUSH!